Subscribe

Ashtu siç pritej, Rusia bllokoi projekt rezolutën në Këshillin e Sigurimit, që ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, me synim dënimin e pushtimit rus ndaj Ukrainës dhe që do të kërkonte tërheqjen e menjëhershme të Moskës.

 

Pas një debati maratonë me dyer të mbyllura, 11 nga 15 anëtarët e këshillit votuan pro rezolutës, ndërsa India, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan. Përfaqësuesi rus në OKB deklaroi se është e papranueshme të mbështetet një draft “antirus”, teksa falënderoi vendet anëtare që abstenuan.

 

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, menjëherë pas një takimi të Këshillit të Sigurimit, u shpreh se “paqes duhet t’i jepet një shans tjetër.

 

” OKB ka lindur nga lufta për t’i dhënë fund luftës. Sot ky objektiv nuk u arrit. Por ne kurrë nuk duhet të dorëzohemi. Ne duhet t’i japim paqes një tjetër shans”, shkroi zyrtari i lartë në Twitter.

 

Ai u kërkoi trupave ruse që kanë hyrë në Ukrainë të kthehen në bazat e tyre.

 

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, përmes një postimi në rrjetet sociale falenderoi të gjitha shtetet anëtarë të Këshillit të Sigurimit që dhanë votën “Pro”.

 

Në rënditjen e flamujve të shteteve që mbështetën dënimin e Rusisë, ishte edhe Shqipëria.

 

“Veto e Rusisë është një njollë gjaku në Këshillin e Sigurimit, hartën e Europës dhe botës. Koalicioni anti-luftë duhet të reagojë menjëherë” mbylli postimin presidenti ukrainas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *