Simbolet shtetërore në targat e automjeteve të Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë të mbulohen me letër ngjitëse kur kalojnë kufijtë e të dy vendeve edhe në të ardhmen. Nuk dihet kur do të arrihet marrëveshja mes palëve.

 

Për dy ditë radhazi delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit diskutuan në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së për çështjen e targave të automjeteve, por nuk arritën dot marrëveshje. Palët ia hodhën fajin njëra tjetrës, ndërsa, ndërmjetësi i dialogut Miroslav Lajçak, pret nga të gjithë aktorët që “të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”. Pas takimit në Bruksel Mirosllav Lajçak, përmes një postimi në Twitter ftoi kryenegociatorët e të dy palëve që të takohen sërish për të vazhduar diskutimet edhe për çështje të tjera aktuale. “Sot nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat. I ftoj kryenegociatorët të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara dhe për të vazhduar diskutimet për çështje të tjera aktuale. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”, shkroi Lajçak.

 

Kryenegociatorët ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi thotë se është pala serbe që nuk ofroi asnjë alternativë për zgjidhje dhe thjesht sipas tij, ajo “s’kishte gatishmëri”. “Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri tek një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi. Sipas tij, “ka gjashtë muaj që nga marrëveshja e përkohshme që pala serbe nuk ka aspak interesim për zgjidhje”.

 

Besnik Bislimi kritikon se pala serbe është marrë këto gjashtë muaj “me elemente margjinale, që tregojnë se thjesht duan të sabotojnë punën e grupit punues.” Ai e quajti të “hidhur” mungesën e rezultatit të bisedimeve. “Ne u munduam që të gjejmë një opcion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë e grupit punues tek kryenegociatorët për një periudhë kohore 30 ditësh. Edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojë kështu që mund të them se ideja për arritjen e një marrëveshjeje për targat ka dështuar.”

 

Petkoviq akuzon palën kosovare se nuk ka qenë e gatshme për propozime

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq akuzoi palën kosovare se “nuk ka qenë e gatshme për asnjë propozim gjatë gjashtë muajve sa kanë funksionuar grupet punuese për targat”. Në mungesë të një marrëveshjeje të përhershme për targat, mbulimi i simboleve shtetërore me letra ngjitëse do të vazhdojë edhe pas datës 21 prill, tha ai. “Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë.”

 

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ndërkaq thekson, se u mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje, duke shtuar se “Kosova lirinë e lëvizjes do ta trajtojë ashtu siç e trajton edhe pala serbe”.

 

Marrëveshja e përkohshme

 

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme të targave më 30 shtator të vitit të shkuar me ndërmjetësimin e BE-së. Marrëveshja e përkohshme pasoi vendimin e 20 shtatorit të Qeverisë së Kosovës që vendosi masën e reciprocitetit për çështjen e targave serbe. Me këtë masë çdo veturë e Serbisë që hynte në territorin e Kosovës duhet të merrte targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro. Edhe qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS përgjatë 10 viteve të shkuara kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.

 

Atëherë masa e reciprocitetit e vendosur nga qeveria e Kosovës për targat nxiti protesta dhe bllokada të rrugëve nga serbët e veriut, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. E në Bashkimin Evropian besojnë se “ka hapësirë për kompromis” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe shpresojnë që të gjendet një zgjidhje, sepse diçka e tillë jo vetëm që do të ndihmonte lirinë e lëvizjes, por do të shënonte një kthesë pozitive në dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet pikërisht nga Bashkimi Evropian./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *