Subscribe

262 nga 5211 është numri i pajisjeve të identifikimit elektronik që nuk funksionuan në ditën e zgjedhjeve. E thënë në përqindje, ajo është pesë në rang kombëtar. Ky është rezultati paraprak, i dalë nga të dhënat e grumbulluara nëntë ditë pas 14 majit.

 

Ditën e zgjedhjeve, KQZ raportoi për 500 pajisje të identifikimit elektronik jashtë funksionit. Kjo shifër erdhi pasi pajisjet nuk përcillnin të dhënën e pjesëmarrjes.

 

Me dorëzimin e raporteve nga operatorët rezulton se, pavarësisht se disa pajisje nuk përçuan pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, për shkak të valëve të dobëta të internetit, identifikimi i zgjedhësve është bërë elektronik.

 

LEALBA PELINKU

NENKOMISIONERE, KQZ

Na rezulton që një pajisje në një qendër votimi nuk ka transmetuar ndërkohë që nga komunikimi që kemi patur me operatorin në atë qendër votimi konfirmon që pajisja ka funksionuar pra identifikimi ka filluar dhe ka mbaruar në mënyrë elektronike.

 

Te 262 pajisjet që nuk funksionuan përfshihen edhe 61 të cilat as u ndezën fare pasi nuk u gjetën operatorë, kryesisht në zona të thella të vendit. Në intervistën për Vizion Plus, nënkomisionerja Lealba Pelinku e përjashton mundësinë e mosfunksionimi të tyre për shkak të operatorëve të patrajnuar.

 

LEALBA PELINKU

NENKOMISIONERE, KQZ

Të gjithë operatorët pa përjashtim janë trajnuar dhe testuar.

 

3.4 milionë dollarë është shuma që KQZ shpenzoi për futjen e shërbimit të ri, atë të pjesëmarrjes në zgjedhje në kohe reale dhe për mirëmbajtjen e pajisjeve. Për këtë arsye, në grupin e ekspertëve që do të bëjnë “hetimin” do të jetë edhe Smartmatic, kompania përgjegjëse.

 

LEALBA PELINKU

NENKOMISIONERE, KQZ

Për sa i takon ndryshimit të softit ka qenë kompania që e ka realizuar, ndërsa për sa i takon funksionalitetit të transmetimit kemi pasu marrëdhënien kontraktore me kompaninë mobile që ka kryer këtë shërbim.

 

Rezultati i ekspertizës do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me një problem teknik, apo njerëzor. Cilido të jetë ai, 5 përqind i mosfunksionimit të teknologjisë në rang vendi është një shifër e ulët, duke marrë në konsideratë edhe të dhënën se 1.3 përqind e saj erdhi për mungesë të gjetjes së të rinjve, për të përdoruar këtë pajisje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *