Dëshmia për hotel “Vollgën”
Jurgis Çyrbja, deputeti aktual i Partisë Socialiste, i cili më herët ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës kur Emiljano Shullazi fitoi 20% të pronësinë së “Hotel Vollgës”, ndryshoi deponimet në seancën gjyqësore.
I thirrur si dëshmitar i organit të akuzës, Çyrbja ka mohuar se është kërcënuar për shkak të detyrës nga një biznesmen.
Këtë situatë e sqaroi prokurorja e çështjes Elisabeta Ymeri.
Sipas saj, ish-drejtori i Hipotekës kishte deklaruar se ishte kërcënuar nëpërmjet një SMS-je, të dërguar nga biznesmeni.
Përmbajtja e mesazhit sipas prokurores ishte se Çyrbja kishte gabuar duke e regjistruar “Hotel Vollgën” në emër të Shullazit, gabim i cili, mund ti kushtonte jetën.
Në këto kushte, Deputeti i PS, duke ndryshuar thëniet, mund të akuzohet për dëshmi të rreme nga Prokuroria.
Për të njëjtën çështje, këtë martë te Krimet e Rënda ishin thirrur për të dhënë dëshminë e tyre edhe dy noterët nga Durrësi, ish-zv drejtori i përgjithshëm i Hipotekës dhe Avokati Neshat Fana.
Ata deklaruan se kanë zbatuar vetëm ligjin dhe se gjithçka mund të gjendet fare lehtë në dokumentet e sekuestruara nga Prokuroria.
Ndërkohë Gjykata nuk është shprehur ende me një qëndrim nëse do të jetë apo jo i pranishëm si dëshmitari i kërkuar nga prokuroria, edhe ish kreu i hipotekës, Ilirjan Muho.




