Të paktën njëmbëdhjetë persona humbën pas sulmit të përgjakshëm të së martës, 4 shkurt, në Örebro, Suedi. Policia suedeze tha se ishte sulmi më vdekjeprurës në vend.
Autoritetet raportojnë gjithashtu se autori është mes të vdekurve, ndërsa kërkimet për viktima të tjera të mundshme vazhdojnë në kampusin Risbergska, ku ndodhi sulmi. Deri më tani nuk ka të dhëna për lidhje me terrorizmin, ndonëse nuk dihen motivet e autorit.
Lexo edhe :
Related Posts
Dëshmi tronditëse
Maria Pegado, 54 vjeç, një mësuese në shkollë, përshkroi momentin kur dikush hapi papritur derën e klasës së saj menjëherë pas pushimit të drekës dhe bërtiti që të gjithë të dilnin jashtë.
“I nxora të 15 studentët e mi në korridor dhe filluam të vrapojmë,” i tha ajo Reuters.
“Pastaj dëgjova dy të shtëna, por arritëm të dilnim. Ishim pranë hyrjes së shkollës”.
Ajo përshkroi skena paniku teksa njerëzit përpiqeshin të ndihmonin të plagosurit.
“Pashë njerëz që tërhiqnin zvarrë të plagosurit, fillimisht njërin, pastaj një tjetër”. E kuptova që ishte diçka shumë serioze”, tha ajo.
Rritja e krimit
Sipas Reuters, Suedia është përballur me një valë sulmesh të armatosura gjatë viteve të fundit.
Vendi me 10 milionë banorë ka regjistruar shkallën më të lartë për frymë të dhunës së armatosur në BE në vitet e fundit, sipas statistikave. Megjithatë, sulmet fatale në shkolla mbeten të rralla.
Sipas Këshillit Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit, ndërmjet viteve 2010 dhe 2022, janë regjistruar 10 vdekje në 7 incidente të dhunës vdekjeprurëse në shkolla.
Suedia ka norma të larta të posedimit të armëve në krahasim me vendet e tjera evropiane, kryesisht për shkak të gjuetisë, megjithëse mbetet shumë më e ulët se Shtetet e Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, rritja e krimit mes bandave ka nxjerrë në pah problemin e trafikut të paligjshëm të armëve./vizionplus.tv







