Kuvendi i Kosovës ka diskutuar përgjatë seancës të së hënës lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Kosovës, përkatësisht rreth pengesave që u bëhen këtyre banorëve për t’u kthyer në pronat e tyre dhe problemet për renovimin e shtëpive të djegura që nga përfundimi i luftës.

Deputetët kanë diskutuar edhe çështjen për blerjen e pronave të shqiptarëve nga serbët me, siç u tha, “ndihmën e Qeverisë së Serbisë”.

Deputetja Valdete Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila vjen nga Mitrovica e Veriut, tha se shqiptarët në veri të Kosovës, nga presioni dhe varfëria, i kanë shitur dhe po shesin pronat tyre.

Ajo tha po ashtu se shqiptarët, të cilët kanë pronat e tyre ende në veri, nuk u lejohet qasja në to.

“Rrënimet e shtëpive të shqiptarëve akoma janë të dukshme dhe pritet të ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe. Aktualisht në disa lagje janë duke u ndërtuar edhe disa ndërtesa. Vetëm në këtë vit janë ndërtuar rreth 10 ndërtesa shumëkatëshe për serbët. Projekti madhor ‘Lugina e Diellit’, një lagje e tërë është në përfundim e sipër ku do të vendoset vetëm popullatë e nacionalitetit serb”, tha Idrizi.

Sipas saj në veri të Kosovës po ndodh një kolonizim i ri.

Në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe janë duke e përfunduar ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”.

Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb. Lidhur me ndërtimin e vendbanimit, që kap vlerën e rreth 14 milionë eurove, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se veri të Kosovës po bëhet një spastrim i dhunshëm i shqiptarëve nga serbët.

“Gjithë situata e krijuar me dëbimin e dhunshëm dhe në kuadër të të njëjtit qëllim edhe me formimin e Zajednicës [Asociacionit], kanë qëllim spastrimin etnik kundër shqiptareve nga vendbanimet e tyre dhe kolonizimi e tyre me kolonë të ardhur nga përtej Kosovës”, tha Selimi.

Selimi tha se shqiptarët të cilët janë duke jetuar në veri të Kosovës janë duke jetuar me një sakrificë e rrezik të madh, pa u mbështetur nga shteti.

Deputetët thanë se në veri të Kosovës, banorët shqiptarë, por edhe të komuniteteve të tjera si ata boshnjakë, turq e romë, përballen me shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.

Saranda Musliu, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se në komunat e veriut të Kosovës, banorët shqiptarë jetojnë në kushte të vështirë dhe përballën çdo ditë me diskriminim dhe probleme të shumta.

“Nuk jemi kundër që atje lagjet të popullohen, por duhet të ketë barazi. Prandaj na duhet një strategji urgjente dhe unifikim i faktori politik për të ndërmarrë hapa te mëtutjeshëm”, tha ajo.

Kurse, deputetja Time Kadrijaj, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosvës tha se gjendja e shqiptarëve në veri të Kosovës nuk është e mirë.

Sipas saj, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime për të ndryshuar gjendjen në atë pjesë të Kosovës.

“Është e papranueshme që këta njerëz sot të paguajnë qira vetëm disa kilometra larg nga shtëpitë e tyre në Mitrovicën e Jugut e tokat e pronat e tyre t’i shfrytëzojnë pa të drejtë serbët e veriut”, tha Kadriaj.

Deputeti nga Lista Serbe, Igor Simiq, duke folur për këtë çështje tha se në shumë qytete të Kosovës kanë jetuar serbë, por tash siç tha ai ‘nuk jetojnë më në ato vende’.

“Ju keni kërkuar një debat, por a e pyetni veten se ku janë serbët që kanë jetuar në Vushtrri, Prishtinë dhe në qytete të tjera. Veriu është një mjedis urban multietnik dhe unë jam krenar sepse jam deputet i cili vi nga kjo anë. Atje jetojnë turqit, shqiptarët, serbët dhe të tjerët”, tha Simiq.

Pas kësaj fjale, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, i ka thënë deputetit Igor Simiq nga Lista Serbe, se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe nuk ka kërkuar falje.

Osmani kërkon të sqarohet teksti për çështjen e të zhdukurve dhe zhvendosurve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të dorëzojë në kuvend tekstin e dakorduar në Bruksel me palën serbe, lidhur me çështjen e të zhdukurve dhe të zhvendosurve.

Teksa ka folur për banorët shqiptarë në veri të Kosovës, ajo ka thënë se ka marrë konfirmim nga Brukseli se ka dakordim për këtë çështje.

“Shumë shpejt, ne duhet të kërkojmë të zbardhet teksti, unë nuk e di në qoftë se edhe zyrtarët e tjerë te partive të koalicionit e kanë parë atë tekst”, ka thënë Osmani.

Sipas deklaratave të palëve në dialogun në Bruksel, çështja e të pagjeturve është njëra prej pikave për të cilën është arritur harmonizimi i qëndrimeve.

Në mbledhjen e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Kosovë, më 19 nëntor, Ibrahim Makolli, kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve në grupin punues, ka theksuar se në dialogun e Brukselit është aritur pajtimi për shtyllat, që janë parime, për çështjen e të pagjeturve.

“Është krijimi i një komisionit të përbashkët, i udhëhequr nga një i emëruar special i Bashkimit Evropian, mekanizëm ky i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. Ndërkaq që mekanizmat e tjerë në terren, do të jenë po të njëjtit, të cilët kanë vepruar deri më tash. E dyta, është qasja e pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”, ka thënë Makolli.

Ai gjithashtu ka shtuar se realizimi i gjithë këtij procesi parashihet të kryhet brenda afatit kohor prej 18 muajve, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes përfundimtare evetuale. Por, pajtimi për këto parime, siç ka thënë ai, do të hyjë në fuqi vetëm nëse arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sa u përket shqiptarëve në veri të Kosovës dhe gjendjes së tyre atje, Osmani ka thënë se deputetët “duhet ta kushtëzojnë miratim e buxhetit të shtetit me përfshirjen e buxhetit të mjaftueshëm për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri dhe projekte ekonomike apo infrastrukturore në këtë pjesë.

“Ne si Kuvend i Kosovës nëse duam ta ndërprejmë procesin e kolonizimit e kushtëzojmë votimin e çdo vendimi ose ligji, përderisa qeveria ta marrë dhe ta zbatojë një vendim të tillë. Nëse dëshirojmë që të miratohet buxheti edhe për veriun, e kushtëzojmë votën për buxhetin e Republikës së Kosovës me përfshirjen e atyre projekteve”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj për çështjen e veriut të Kosovës duhet të bashkohen forcat politike për të ndryshuar gjendjen në atë pjesë të Kosovës./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *