Dënohet me burgim të përjetshëm vrasësi i grave Dan Hutra

Dënohet me burgim të përjetshëm Dan Hutra, i akuzuar për vrasjen e tre grave, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2023 në Tiranë.
Gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene mëson se Hutra u dënua me tre burgime përjetë për vrasjen e Mevlute Sadikut, Hasime Dafkut dhe Etleva Kurtit.
Po ashtu Gjykata e dënoi edhe me 35 vite për vrasjen e Helena dhe Kujtime Hysa, ndërsa për Marjana Gurakuqin me 30 vite heqje lirie.
Po kështu ai u gjet fajtor edhe për armëmbajtje pa leje dhe sigurim të kushteve për të kryer vrasje dhe për këtë akuzë u dënua me 15 vjet burg.
Çfarë ndodhi më 1 mars 2303
Hutra duke i dhënë një makine “Benz” të zi, me një kallashnikov dhe thikë brenda saj, është ndalur në zonën e “Astirit”.
Aty Hutra u përball me 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, shitëse në një dyqan, të cilën e plagosi me thikë dhe i mori para. Në dëshminë e saj, Gurakuqi ka deklaruar se e njihte Dan Hutrën pasi i shkonte dhe i kërkonte shpesh para.
Kësaj here ajo kishte refuzuar që t’i jepte para, e për pasojë ai e kishte plagosur me thikë. Më pas, me një plan të qartë në kokë, me të njëjtën makinë dhe të njëjtat armë krimi, Dan Hutra u nis drejt Paskuqanit te banesa e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën kishte një vajzë të vogël vetëm 4 muajshe.
Vrasësi u fut brenda shtëpisë private ku Hysa jetonte me familjarë të saj dhe qëlloi me breshëri ndaj tyre. Si pasojë ndërruan jetë motra e ish-bashkëjetueses Mevlute Hysa 30 vjeç dhe e fejuara e vëllait të Elena Hysës, gjithashtu 30-vjeçare, Hasime Dafku. Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë.
Masakra vijoi edhe më tej.
Hutra, i arratisur me makinën Benz të zi dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti.
Faji i vetëm i Etlevës ishte se ishte motra e Vladimir Kurtit, ky i fundit vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Drenovë për vrasjen në 2018-ën të Agim Buçit dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative grabitje në dyqanin e tyre në Tiranë, skenë e ndodhur e gjitha në prani të djalit të tyre 6-vjeçar në atë kohë.
Vladimir Kurti në një telefonatë nga qelia, tregoi asokohe se kishte pasur një debat të ashpër me Dan Hutrën teksa vuanin të dy dënimin në të njëjtin burg, madje e kishte kërcënuar herë pas here se do i vriste motrën.
Pas disa orësh kërkime, Hutra arriti që të vihej në pranga dhe u dërgua në burgun e Fierit, aty ku sot tentoi “të fitonte” lirinë.
Skema si ndodhën vrasjet
Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen Marjana Gurakuqi, 40 vjece, banuese në Astir. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.
E shkuara e errët e Dan Hutrës
Dan Hutra është një njeri i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një skedë të pasur kriminale ku përfshihen vepra të ndryshme penale për përdhunim, pengmarrje, vrasje, 2 tentativa të bujshme arratisjeje, sherret në burg, vjedhje, në total 20 vite histori kriminale!
Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim pasi vrau gruan e tij të parë, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.
Gjithashtu, më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023. Dy javë pasi dol inga burgu kreu dhe vrasjen e trefishtë.
Dan Hutra nuk shfaqi pendesë pas krimit
Dan Hutra pas arrestimit nuk shfaqi pendesë për krimet e rënda. Ai tregoi para organeve të drejtësisë planin gjakftohtë për vrasjen e tre grave.
Ai rrëfeu para hetuesve se pasi vrau Gëzime Dafkun, nusen e vëllait të ish-bashkëjetueses dhe Etleva Kurtin kishte ndaluar në një market për të blerë ujë. Atje ai pa në ekranin e televizorit foton e tij, që kishte dalë nga mediet, pasi ishte shpallur në kërkim. Hutra tha se në market ndodhej edhe një fëmijë, i cili sipas tij e kishte njohur atë nga fotoja që pa në televizor.
Megjithatë ai tha se vendosi të mos ta vriste fëmijën.
“Unë jam larguar më pas për në Kombinat, ku kisha planifikuar edhe një vrasje tjetër. Rrugës më ka rënë sheqeri dhe ndalova në një dyqan për të blerë ujë. Aty pashë që në televizor ishte fotoja ime, në një ekran. Fëmija që ishte në market më duket se më ka njohur, por unë nuk e vrava”, u shpreh ai./vizionplus.tv




