Subscribe

Ish shefi i Shërbimit sekret në Maqedoninë e Veriut, Sasho Mijallkov u dënua nga gjykata penale e Shkupit me 12 vjet burg, ndërsa ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska me 4 vjet heqje lirie.

 

Gjykata, raporton Vizion Plus, dha vendimin këtë të premte edhe për 10 të akuzuar të tjerë në rastin e koduar si “Target-Kështjella” lidhur me përgjimin në masë të bisedave telefonike të më shumë se 20 mijë qytetarëve.

 

Ata u shpallën fajtorë për veprat penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

 

Me nga 15 vjet heqje lirie u dënuan ish-agjentët Goran Gruevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët u arratisën para 3 vjetësh e gjysmë në Greqi, dhe nuk është pranuar kërkesa për ekstradim.

 

Në rastin “Target-Kështjella” ishin përfshirë 12 persona, ish-zyrtarë të lartë qeveritarë, agjentë dhe drejtues e përfaqësues të agjencive të sigurisë.

 

Skandalin e përgjimit të bisedave telefonike të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve e shumë qytetarëve të tjerë të njohur në opinionin publik si “bombat” e publikoi në fillim të vitit 2015 kryeministri Zoran Zaev, atëkohë drejtues i opozitës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *