Kryeministri Edi Rama ndau disa video në rrjetet sociale duke falënderuar zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë dhe të gjithë vullnetarët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetët e tyre.
Rama u tregua i ashpër me zjarrvënësit duke thënë se meritojnë ndëshkim të rëndë pasi cenojnë jetë, bëhen shkak për shkatërrimin e pasurive kombëtare, tokës, e faunës.
“Ata që ndezin zjarre qëllimisht në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”, tha Rama.
Ndërkohë komentueseve në rrjet që ngrenë pyetjen e mungesës së një flote më të madhe ajrore për të shuar zjarret që kanë përpirë vendin prej qershorit, Rama u përgjigjet: “Ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë asesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!
Kreu i ekzekutivit pranon se sa më shumë avionë aq më mirë, por sipas tij prania apo mungesa e tyre nuk i përjashton zjarret.
“Kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon, disa shumë më keq se ne meqë ra fjala dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, shprehet Rama.
Kryeministri shprehu mirënjohje të veçantë për punën e bërë në Gramsh e Delvinë që në 24 orët e fundit janë përballur me një situatë apokaliptike nga zjarret.
/vizionplus.tv





