Vala e katërt e pandemisë ka mbërthyer vendet e rajonit ndërsa prej më shumë se një jave tashmë, po regjistrohen shifra rekord viktimash dhe infektime të reja. Autoritetet greke bënë të ditur se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 42 persona dhe kanë marrë infeksionin më shumë se 3 mijë të tjerë. Ndërkohë 332 pacientë janë të intubuar në njësitë e kujdesit intensiv.

Pushimi vjetor për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor u pezullua, ndërsa nga 1 shtatori do të nisë vaksinimi i detyruar për stafin mjekësor, infermieret, si dhe stafin administrativ dhe ndihmës në spitale. Në të kundërt ata do të pezullohen nga puna. Ministri Vasilis Kikilia deklaori se shtrëngimi i masave duhet vlerësuar në të mirë të shëndetit publik.

 

VASILIS KIKILIAS

MINISTRI I SHËNDETËSISË NË GREQI 

“Masat e mbrojtjes së shëndetit nuk janë ndëshkuese për ata që nuk pranojnë të vaksinohen. Por  është ajo që ne duhet të bëjmë si një shtet përgjegjës. Është detyrimi ynë ndaj të gjithë atyre që humbën betejën para se të merrnin vaksinën.”

 

Në Maqedoninë e Veriut, 29 pacientë e humbën betejën me koronavirusin ndërsa janë infektuar më shumë se 1 mijë persona. Mjeku infeksionist Fadil Cana shprehet se simptoma më të rënda manifestojnë grup moshat më të reja, të cilët nuk janë vaksinuar.

 

FADIL CANA

MJEK INFEKSIONIST

 “Grup moshat e vaksinuara, më të reja, mund të vijnë në kontakt me virusin për shkak se ata tubohen nëpër kafene, nëpër restorante dhe aty ekziston mundësia. Pavarësisht se personat janë të vaksinuar, por nuk e kanë kaluar sëmundjen, ato persona janë të ndjeshëm dhe mund përsëri një përqindje e caktuar të preken nga virusi dhe në atë rast përsëri janë transmetues të infeksionit.”

 

Ndërsa në Kosovë këtë të mërkurë u regjistrua numri më i lartë i të prekurve nga COVID-19, gjatë këtij viti. Autoritetet shëndetësore konfirmuan se 14 persona kanë humbur jetën, ndërsa janë regjistruar 2 mijë e 541 raste të reja infektimi me sars cov 2. Për shkak të numrit të madh të pacientëve, janë ndërprerë disa shërbime spitalore jourgjente.

 

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka përfshirë vendin në zonë të kuqe dhe ka këshilluar qytetarët amerikanë që të mos udhëtojnë në Kosovë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *