Çdo i punësuar, përpara se të marrë pagën e muajit Janar ka detyrimin ligjor të plotësojë Deklaratën e Statusit Personal. Këtë deklaratë e ka punëdhënësi dhe e firmos çdo punonjës një herë në vit. Ky dokument është një risi që rrjedh nga Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat dhe nuk shoqërohet me kosto shtesë.
Por, kjo deklaratë ka rëndësi për ata që bëjnë dy apo më shumë punë.
Për të diskutuar më shumë për deklarimin e “ri” të të ardhurave, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi ishte fiskalisti Edvin Stefani.
Z.Stefani tha se deklarata firmoset vetëm në njërin nga vendet e punës, teksa shtoi se në rast se punonjësi refuzon të nënshkruajë, ekonomisti duhet t’i mbajë tatimin pa të drejtë zbritjeje.
Intervista e plotë:
Çfarë është periudha tatimore? Do të nënshkruhet vetëm një herë për një periudhë tatimore. Cila është kjo periudhë?
Stefani: Vetëm në një vend ti mund të kesh të drejtën për të zbritur 15 mijë lekë, 35 mijë lekë dhe 30 mijë lekë. Këto janë tre zbritje bazuar në nivelin e pagës.
Duhet të nënshkruhet çdo herë, çdo periudhë tatimore?
Stefani: Jo, jo. Unë firmos deklaratën në një nga vendet e punës, aty ku më mbahet tatimi çdo muaj. Në vendin tjetër të punës, ku gjithashtu më mbahet tatimi çdo muaj, unë nuk kam të drejtën e zbritjes. Pra, nëse kam dy paga nga 60 mijë lekë, në një nga vendet e punës më zbritet 35 mijë lekë dhe në vendin tjetër më tatohet e gjithë paga.
Nëse nuk nënshkruhet para afatit, që thuhet se është para se punonjësit të marrin pagën e muajit janar, çfarë ndodh?
Stefani: Në rast se punonjësi refuzon të nënshkruajë, ekonomisti duhet t’i mbajë tatimin pa të drejtë zbritjeje. Pra, është në interes të vetë punonjësit që të shkojë dhe të firmosë këtë deklaratë për të përfituar zbritjen tatimore. Sistemi funksionon në këtë mënyrë. Është punonjësi i interesuar për të firmosur, jo punëdhënësi. Punëdhënësi e ka shumë të thjeshtë, i mban tatimin e plotë nëse punonjësi nuk ka firmosur.
Cili është në thelb qëllimi i këtyre ndryshimeve ligjore?
Stefani: Në ligjin e vjetër, nëse merrja dy paga nga 50 mijë lekë, në të dyja pagat unë përfitoja gjatë muajit mos pagimin e tatimit dhe e paguaja atë në fund të vitit. Aktualisht, unë e paguaj tatimin gjatë muajit, pasi vetëm në një nga vendet e punës më njihet zbritja, aty ku kam firmosur deklaratën. Në vendin tjetër më mbahet tatimi gjatë muajit. Pra, është thjesht një marrje më e hershme në kohë e tatimit.
Çfarë këshille do t’i jepnit punonjësve?
Stefani: I këshilloj punonjësit që në vendin e punës ku marrin pagën më të lartë dhe ku kanë angazhimin më të madh, të firmosin deklaratën. Pra, të mos nxitohen për të përfituar zbritjen më të madhe duke ndjekur pagën më të vogël. Ekonomistët gjithashtu nuk duhet ta neglizhojnë këtë hap. /vizionplus.tv





