Në zemër të Shkodrës, në lagjen historike të Gjuhadolit, janë me dhjetëra ndërtesa në rrezik shembjeje. Edhe pse kjo zonë muzeale duhet të gëzojë status të veçantë, prej vitesh ajo nuk trajtohet si e tillë nga Bashkia Shkodër dhe Instituti i Monumenteve.
Arkitekti Zef Çuni ngre alarmin për rrezikun që i kanoset sot Gjuhadolit, me planin e ri qe synon të implementojë bashkia Shkodër, duke i hapur rrugë ndërtimeve me shumë kate, që zhdukin identitetin e një prej kryeveprave të arkitektit Kolë Idromeno.
Çuni shton se aktualisht dhjetra familje janë të penalizuara për rikonstruksionin e shtëpive të tyre, pasi nuk u jepet leje nga bashkia.
Një pjesë e shtëpive të Gjuhadolit u rikonstruktuan në vitin 2013, falë një fondi prej 800 mijë eurosh të Bashkimit Europian, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Shkodrës. Ndërhyrjet u kryen në fasadat e banesave, në trotuare, ndriçim dhe shtrimin e rrugës me kalldrëm. Por projekti rezultoi jo i plotë dhe sot dëmet janë të mëdha. Vizion Plus kërkoi një sqarim në bashkinë Shkodër për këto problematika, por drejtuesit e saj refuzojnë të flasin për këtë çështje./vizionplus.tv





