Banka Kombëtare Tregtare ka festuar të enjten rihapjen e degës historike në qytetin e Durrësit. Ndërtesa me 100 vjet histori i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë dhe tashmë është në shërbim të klientëve të saj në qytetin bregdetar.
Në ceremoninë e zhvilluar për këtë rast morën pjesë bordi drejtues i BKT, drejtori i përgjithshëm Seihan Pencabligil, drejtues e punonjës të bankës si dhe drejtues të pushtetit vendor.
MUSTAFA USTA
KRYETARI I BORDIT DREJTUES TË BKT
Rihapja e degës sonë Durrës nuk është thjesht një rinovim; ajo shënon fillimin e një epoke të re në modelin tonë të shërbimit që do të aplikohet për herë të parë në këtë degë. Ne synojmë të ofrojmë një përvojë të shkëlqyer për klientët tanë, duke bashkuar digjitalizimin, dizajnin modern dhe mbështetjen e stafit tonë profesional. Degët tona të transformuara do të ofrojnë shërbim të personalizuar, duke kombinuar teknologjinë më të fundit me kontaktin njerëzor.
Drejtuesi i bordit shtoi se BKT shfrytëzon të gjitha hapësirat për një shërbim sa më të mirë ndaj klientëve.
Ne jemi të vetëdijshëm që bankingu nuk duhet të jetë një zgjidhje e vetme për të gjithë kërkesat, por një përvojë unike e përshtatur për çdo klient. Qoftë përmes inovacionit digjital ose ndërveprimeve ballë për ballë, fokusi ynë është që të ofrojmë shërbime të favorshme, efektive dhe në respekt të individualitetit të çdo klienti.
BKT është banka më e madhe në Shqipëri me një total aktivi deri në shtator 2023, prej 5.5 miliardë Euro duke zotëruar kështu 24.91% të aseteve totale të sistemit bankar në Shqipëri. Ajo operon në vend nëpërmjet 60 degëve dhe 3 agjencive doganore dhe u shërben më shumë se 800 mijë klientëve.
Falë performancës së saj të lartë, BKT është vlerësuar ndër vite me çmime të ndryshme prestigjioze si “Banka më e Mirë në Shqipëri’’ nga institucione të mirënjohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si The Banker, Global Finance, Euromoney, Emea Finance, Finance Central Europe etj. Aksionari i vetëm i bankës është Çalık Holding, themeluar në vitin 1981 në Stamboll që operon në sektorë të ndryshëm duke përfshirë atë të energjisë, ndërtimit, tekstileve, minierave dhe financës.





