Debati për pagat në Kushtetuese/ Basha: Votë pro rritjes së rrogave. Berisha: Synohet korruptimi i gjyqtarëve

Lulzim Basha ka lajmëruar sot se do të votojë pro ligjit të qeverisë Rama për rritjen e pagës për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj kërkon 84 vota e mazhoranca nuk mund ta kalonte pa konsensusin e opozitës, konsensus të cilin e konfirmoi kryetari i PD Basha.
Lulzim Basha
Reklamë“PD do të votojë pro rritje së rrogave të gjyqësorit si një nga hapat që të forcojmë pavarësinë e gjyqësorit.”
Por Basha dhe deputetët që e mbështesin janë të vetmit në kampin opozitar që do të bashkojnë sot votën me Partinë Socialiste, pasi pjesa tjetër e deputetëve të Partisë Demokratike dhe aleatët e saj do të votojnë kundër.
Sipas liderit të opozitës Sali Berisha kjo rritje pagash po përdoret për të korruptuar gjyqtarët Kushtetuese. Për të mbështetur këtë akuzë ish-kryeministri Berisha solli në vëmendje se në SHBA kreu i gjykatës supreme e ka pagën vjetore 290 mijë dollarë, ndërsa presidenti i SHBA merr në vit 400 mijë dollarë.
SALI BERISHA
” Kurse ju përcaktoni një rrogë për të blerë një tuf gjykatësish, pothuaj dyfishin e rrogës së Presidentit të Republikës për të treguar se asnjë njihni hierarki shtetërore, as njihni shtet, por vetëm interesa pazaresh dhe mafie. Po si mund të jeni ju dakord dhe të flisni për pensionistët, ku i jepni një gjykatësi që nuk ka qenë kurrë gjykatës, aq sa do marrin 80 pensionistë në muaj? “
Ligji është shoqëruar me kritika edhe nga socialistët, pasi Farmie Xhafaj ka deklaruar se një rritje kaq e madhe page është e pajustifikuar. Me miratimin e këtij ligji kryetari i Gjykatës Kushtetuese do ta ketë pagën 7.7 milion lekë dhe anëtari 6.4 milion, pothuaj dyfishi i pagës së anëtarëve të gjykatës së lartë dhe ndjeshëm më e lartë se paga e presidentit të republikës, që aktualisht është 4.2 milion lekë.




