Subscribe

Debati ka shoqëruar mbledhjen e Komisionit hetimor për ish ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Kryetari demokrat Edi Paloka tha se qeveria dhe të gjitha institucionet në varësi të saj, qëllimisht nuk i janë përgjigjur kërkesave për informacion të dërguara nga opozita.

 

 “Nga Kryeministria, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Policisë e të gjitha institucionet e tjera varen nga Rama, përgjigjet kanë qenë negative dhe absurde. Kryeministria pret kur t’i thotë DSIK kur t’i nisë materialet, nuk e çojmë informacionet pa thënë DSIK, që është në varësi të kryeministri. Ministri Xhafaj në shkresë bën leksion për mënyrën se si bëhet komisioni hetimor, pyet nëse kemi miratuar plan hetimi.”

 

Por për socialistët kërkesat nuk mund të dërgohen vetëm nga një palë, por duhen plotësuar edhe me çka duan të dinë anëtarët e mazhorancës.

 

“Edhe ne kemi të drejte të kërkojmë informacion dhe ato nuk i keni dërguar ju. Tani rrezikojmë të kemi përsëri shtyrje. Do duan kohën e tyre të gjitha. Keni një muaj që nuk mblidhni komisionin, si mund të pretendoni ju të sillen kamionë me informacione. Nuk na leverdis që koha të shtyhet, me veprimet tuaja keni sot një situatë që jeni të detyruar të pranoni kërkesat e mazhorances dhe përgjigjet do vijnë kur institucionet do duan kohën e vet.”

 

Por, për opozitën institucionet shtetërore e kanë detyrim ligjor të japin informacione. Në të kundërtën, do përballen me padi penale për pengesë të hetimit parlamentar.

 

“Nëse të tretët nuk i përgjigjen Kuvendit dhe në respekt të ligjit, ka vetëm një rrugë, kallëzim penal për shpërdorim detyre.”

 

Palët janë përfshirë edhe mbi faktin se disa anëtarë të komisionit nuk kanë certifikatë sigurie, në mënyrë që të kenë akses në informacione. Certifikata të cilat u janë dorëzuar deputetëve këtë të mërkurë.

 

Në mbledhje, socialistët bënë të ditur se kanë kërkuar të dhëna mbi kultivimin dhe trafikimin e drogës edhe gjatë periudhës kur vendi është qeverisur nga të djathtët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *