Partia Demokratike akuzoi Presidentin e Republikës Bajram Begaj se shkeli Kushtetutën kur dekretoi datën e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Në Komisionin e Ligjeve, nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, deklaroi se ky dekret është nul, për sa kohë që Gjykata Kushtetuese nuk ka shqyrtuar ankimimin e Erion Veliajt.
“Shkelje brutale. Presidenti mesa duket është në pamundësi të ushtrojë detyrën, nuk po e lënë të ushtrojë detyrën që është një nga arsyet pse Presidenti nuk mund ta vazhdojë më atë detyrë. U bënë disa dekrete që janë haptazi në shkelje”, tha nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi.
Por socialistët në Komision preferuan të shmangin çdo koment për dekretin e Presidentit Bajram Begaj, duke u fokusuar te rendi i ditës dhe përfundimi i mandatit për 5 anëtarët e Komisionit Rregullator, që është një prej 3 organeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Socialisti Damian Gjiknuri kërkoi që, për shkak të zgjedhjeve të pjesshme që do të mbahen në 6 bashkitë e vendit, të aplikohet procedurë e përshpejtuar në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj, duke ruajtur balancat mes mazhorancës dhe opozitës.
“Ka një lloj urgjence për shkak edhe të zgjedhjeve. Të procedojmë shpejt. Kandidatet te kene 10 dite kohe per aplikim”, tha Gjiknuri.
Por propozimi i socialistëve u rrëzua nga opozita, e cila kërkoi respektimin e Rregullores dhe ndjekjen e procedurës normale për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Rregullator.
Shqetësimi i opozitës ishte: kush do të hartojë rregullat për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, nëse anëtarëve aktualë u përfundon mandati më 5 tetor, duke këmbëngulur që ata të qëndrojnë në detyrë derisa të zgjidhen anëtarët e rinj.
Në përfundim të debateve, u vendos që të respektohet Rregullorja dhe të nisë procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Rregullator.
Bashkë me Komisionin Rregullator, u hap gara edhe për zëvendëskomisionerin, post të cilin e ka Lealba Pelinku, e propozuar nga PD, pasi mandati i saj ka mbaruar prej një viti./vizionplus.tv





