Subscribe

Iniciativa e qeverisë për të ndërtuar një sistem të ri adresash dhe për të vendosur një kod unik për çdo banesë, ka sjellë shqetësimin e demokratëve për ndërhyrje në listën e zgjedhësve në prag të betejës elektorale të vitit 2025.

Në komisionin e ligjeve nënkryetari i PD së drejtuar nga Sali Berisha, Oerd Bylykbashi debatoi me ministrin e Brendshëm Taulant Balla për efektin që vendosja e një kodi të ri unik për çdo banesë ka tek lista e zgjedhësve.

Nisur nga parashikimet e kodit zgjedhor i cili sanksionon se “Përfshirja e zgjedhësit në listë bëhet mbi bazën e kodit të vendbanimit” Bylykbashi kërkoi që procesi i vendosjes së një kodi të ri për banesat nuk duhet të ndikojë tek lista e zgjedhësve. Ai solli në vëmendje se aktualisht gjendja civile përdor një kod 10 shifror vendbanimi dhe se mund të ketë në përdorim dy kode që kanë të njëjtin funksion

Duhet që në mënyrë absolute të mos ketë konfuzion midis dy kodeve, njëri vetëm nga të dy qëndron; ose rri ai i vjetri ose rri ky i riu siç është më e mundshmja. Ama nëse kjo nuk është në gjendje të bëhet para fillimit të hartimit të listës së ardhshme ky kodi i ri 18 shifror aplikohet në të ardhmen, por jo në këto zgjedhje. Përndryshe është një operacion që me dashje apo pa dashje shkatërron listën e zgjedhësve”, tha Bylykbashi.

Por ministri i brendshëm Taulant Balla garantoi se kodi i ri unik që do të vendoset tek çdo banesë nuk do të ndikojë tek lista e zgjedhësve.

‘Kodi i vendbanimit nuk ka lidhje me kodin unik të adresës. Lista e zgjedhësve ka në themelin e vet qendrat e votimit. Kodi ka në një prej atyre shifrave, i referohet qendrës së votimit. Këtu s’ka lidhje fare. Ne i referohemi bashkisë, njësisë administrative, qytetit, kodit postar, emërtimin e rrugës, apartamentit. Kodi i vendbanimit ka mbetur aty që nga viti 2003”, tha Balla.

Me konsensus mazhoranca dhe opozita vendosën të marrin më shumë kohë për të diskutuar ligjin dhe për të sqaruar të gjitha pikëpyetjet në lidhje me ndikimin tek lista e zgjedhësve.

Ligji i ri për adresat parashikon ndërtimin e një regjistri kombëtar të adresave ku çdo shtëpi, biznes apo ndërtesë do të ketë një kod unik me 18 karaktere.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *