Subscribe

Pese vite më pas, opozita me mazhorancën kanë ndërruar rolet në komisionin e ekonomisë. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i ka propozuar deputetëve të kuvendit nismën që PD morri në 2011-ën për rivlerësimin e pasurive, të cilën vetë nuk e votoi. Por sot, nënkryetari i PD-së Edmond Spaho, dikur kryetar i Komisionit të Ekonomisë, tha se çdo gjë po bëhet për qëllime elektorale dhe që të përfitojnë bizneset që shesin banesa. Ndryshe nga çfarë ka shprehur disa vite më parë se rivlerësimi shkon në ndihmë të qytetarëve. I vetmi që ka mbajtur të njëjtin qëndrim, është ish-Ministri i Financave Bode, por ai tha se pas këtij nderi që qeveria po i bën qytetarëve fshihet një aferë më e madhe. Bode tha se shumë shpejt financat do të ndryshojnë mënyrën e taksimit të shtëpive për të paguar jo më për metër katror siç është sot, por në bazë të vlerës reale të tyre. Në këtë kontekst, qeverisë i leverdis deklarimi i vlerave sa më të larta për banesat. Por bizneset kishin probleme të tjera, ata kërkojnë që me hyrjen e reformës në drejtësi, qeveria të bëjë një amnisti të madhe të kapitalit. Gjithë pasuritë dhe asetet që ka fshehur në këto vite biznesi të deklarohen kundrejt pagesës së një vlere të caktuar. Nëse ligji kalon ditën e hënë në seancë ai bëhet efektiv në fillim të shtatorit dhe afati për rivlerësimin e shtëpive është fundi i këtij viti. Të gjithë qytetarët që kanë një pasuri nga e cila paguajnë 15% tatim fitim të diferencës mes vlerës kur e kanë marrë dhe asaj që ka sot tregu duhet të paguajnë vetëm 2% në mënyrë që kur ta shesin të fitojnë një shumë të konsiderueshme. 2% nuk është vlera e gjithë transaksionit, por vetëm e tatimit mbi fitimin. Komisioni i ekonomisë do të punojë me ekspertët e financave për të shtuar edhe një nen i cili do t’i mundësojë rivlerësimin edhe shtëpive pa hipotekë dhe që kanë vetëm një kontratë shitje. E njëjta gjë synohet të bëhet edhe për pasuritë e biznesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *