Ligji për prokurorinë publike vijon të mbajë pezull zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut ndërsa mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për ta votuar atë.

Palët pranojnë rekomandimet e ekspertëve por nuk pajtohen për mënyrën e përfshirjes së tyre në tekst.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska i ka dhënë ultimatum opozitës që amendamentet ndaj tekstit t’i propozojë sa më parë pasi ka ende kohë që ligji të miratohet përpara se kuvendi të shpërbëhet.

 

RENATA DESKOSKA

MINISTRE E DREJTESISE NE MAQEDONINE E VERIUT

“Marrëveshja është që ata të cilët nuk kanë propozuar amendamente,kanë mundësinë e fundit ditën e sotme për t abërë një gjë të tillë e që më pas të caktojmë një takim të përbashkët që ti diskutojmë amendamentet dhe të vendosim cilët pranohen ose jo. Me këtë hap, besoj se do ta mbyllim çështjen.”

 

Por opozita e ka kundërshtuar urdhrin. VMRO-DPMNE-ja kërkon nga dikasteri i Drejtësisë që amendamentet të hartohen në praninë e ekspertëve.

 

ANTONIO MILLOSHOSKI

 

DEPUTET I VMRO-DPMNE

 

Dallimi është se neve konsiderojmë se një amendament i përgatitur nga 3 profesorë nga E drejta penale apo Kushtetuese ndaj nenit 4, 108, 112, 9, 69 ose 103 do të jetë më përmbajtësor dhe do të ketë shanse më të mëdha të pranohet nga Kuvendi se sa një amendament i përgatitur nga një parti politike.

 

Ndërkohë Bashkimi Demokratik Për Integrim i ka dorëzuar tashmë propozimet.

 

ARTAN GRUBI

 

DEPUTET I BDI

 

“Ne i paraqitëm vërejtjet dhe shqetësimin tonë se pse 10 amendamentet e pranuara në Komisionin për Çështje Europiane për versionin paraprak të ligjit nuk janë përfshirë edhe në këtë ligj dhe kemi kërkuar ndërhyrje në këto dispozita duke shtuar edhe përdorimin e gjuhës shqipe si dhe uljen e kritereve për zgjedhjen e prokurorëve publikë.”

 

Ekspertët në debatin publik kanë kontestuar 25 nene të propozim-Ligjit për Prokurorinë Publike. Pas hartimit të amendamenteve, takimet e grupeve pritet të vazhdojnë nga java e ardhshme, kur do të nisë edhe procedura parlamentare.

Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut pas ardhjes në detyrë, komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhejli kërkoi nga subjektet politike që të bien dakord për të votuar ligjin për Prokurorinë Publike përpara zgjedhjeve të 12 prillit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *