Në një debat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku ka hedhur poshtë të gjitha hamendësitë e kohëve të fundit për të ashtuquajturën Shqipëria e Madhe.

 

“Nuk ka Kosovë të Madhe, apo Shqipëri të Madhe. Ka vetëm shqiptarë që jetojnë në Shqiperi dhe shqiptarë që jetojnë në Kosovë dhe Maqedoni. Synimi ynë dhe objektivi ynë i përbashkët është që të jemi qytetarë të barabartë të Bashkimit Europian”.

 

Citaku përsëriti se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet dhe se Prishtina dëshiron të dialogojë me Beogradin, por ai po përdor standarde të dyfishta.

 

“Ne jemi të angazhuar për dialog, por jemi të lodhur me lojërat e dyfishta, standardet e dyfishta, kur ata thonë se duan paqe e pajtim nga njëra anë dhe nga ana tjetër keqpërdorin Interpolin dhe lëshojnë urdhërarreste ndaj liderëve tanë dhe luftëtarëve që mbrojtën vendin. Ajo që ndodhi me Ramush Haradinajn e që fatmirësisht mbaroi, flet për mendësinë e Serbisë”.

 

Serbia u përfaqësua në debat nga ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviç, që theksoi se liderët shqiptarë kanë berë deklarata për Shqipërinë e Madhe, ndërsa tërhoqi vëmendjen për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe nderprerjen e dialogut.

 

Përfaqësuesja e SHBA rikonfirmoi mbështetjen për Kosovën dhe u bëri thirrje Prishtinës e Beogradit të bashkëpunojnë për normalizimin e raporteve.

 

“U bëjmë thirrje liderëve të vitaloziojnë bisedimet dhe të zbatojnë marrëveshjet pa shtyrje e të bashkëpunojnë për normalizimin e marrëdhënieve. Liderët të fokusohen tek dialogu dhe pajtimi për të patur një Ballkan më të sigurte, me të begatë, larg retorikave nxitëse e të vijojnë me integrimin. Kufijtë e Ballkanit janë të përcaktuar”.

 

Gjate fjalës së tij zv/ambasadori rus Vladimir Safronkov përsëriti se Rusia ka dënuar me forcë deklaratat nxitëse të kryeministrit shqiptar Rama dhe presidentit kosovar Thaçi për bashkimin e shqiptarëve. Ai bëri përgjegjëse Kosovën për ndërprerjen e dialogut me Serbinë dhe BE që nuk po ushtron presion ndaj liderëve kosovare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *