Subscribe

Ai që u cilësua si skandal, po konsiderohet nga qeveria si një metodë për të luftuar informalitetin në paga dhe evazionin fiskal.

 

Databaza e pagave e bërë publike në dhjetorin e vitit të kaluar nxori në pah problemet me deklarimet e pagave dhe me ngritjen e Njësisë Anti-informalitet, një pjesë e mirë e tatimpaguesve kanë reflektuar. Për të vijuar me të njëjtën frymë, kryeministri Edi Rama po mendon që pagat të bëhen publike çdo vit.

 

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

“A mos është vallë më mirë që njëherë në vit të bëhen publike të gjitha pagat? Kjo eksperiencë tregon se kjo ka efektin vetërregullues më të madhe brenda sistemit. Ideja që pagat mund të bëhen publike çdo vit, njëherë në vit, është një ide që nuk mendoj se ne duhet ta aplikojmë me të thënë e me të bërë, por për të cilën ia vlen të konsultohet me opinionin publik.”

 

Rezultati i kontrolleve të ushtruara deri më tani nga Njësia Anti-informalitet në rreth 10 mijë tatimpagues është që për 51 mijë të punësuar janë rritur pagat me mbi 10 mijë lekë të reja.

 

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

“Është një kohë kur patjetër të gjithë bizneset duhet të hedhin një hap më tutje për të formalizuar marrëdhëniet me punëmarrësit e tyre, për të formalizuar pagat e tyre dhe për të mos ngrënë pensionin e tyre. Si mund të hahet pension i tjetrit? Do të bëjmë një punë shumë intensive lidhur me kontratat, punë e nisur me disa raste specifike, për të mbështetur punëmarrësit, por për të ndihmuar edhe punëdhënësit që të ketë kontrata që garantojnë të dyja palët. Nuk mund të kemi situata kontraktuale si ato që kemi verifikuar gjatë kontrollit.”

 

Në “filtër” do të kalojë edhe jetesa luksoze e disave që rezultojnë me paga të ulëta të deklaruara.

 

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

“Ne do të shkojmë më tutje në ballafaqimin e pagave të deklaruara me stilin e jetesës, kjo vlen për ata që marrin paga të larta dhe i shmangen deklarimeve në mënyra të ndryshme.”

 

 

Në ndërkohë, jo vetëm që bizneset do të duhet të presin dy herë në vit Njësinë Anti-informalitet për kontrolle në deklarimin e pagave, por do të ketë edhe masa ndëshkuese më të forta ndaj shkelësve.

 

 

DELINA IBRAHIMAJ

MINISTRE E FINANCAVE DHE EKONOMISE

“Do të hedhim më shumë dritë aty ku duhet të veprojmë dhe do të paraqesim ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, do të targetojë ata individë më profesione të lira. Nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha profesionet e lira duhet të paguajnë tatimin sipas ligjit.Do të bëjmë ndryshime në ligjin për procedurat tatimore dhe për të gjitha shkeljet që përbëjnë evazion tatimor, nëse më parë kishte gjobë baras me 100% të totalit të rivlerësimit, tashmë do të shkojë 200%. Do të dyfishojmë masën për deklarimin e pagës së saktë.”

 

Thirrja që bëhet për komunitetin e biznesit është që të vetërregullohet dhe të mos presë kontrollet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *