Subscribe

27 tetori është afati i fundit që ligji i ka vendosur presidentit të republikës për dekretimin e datës së zgjedhjeve lokale.

Opozita i kërkoi kreut të shtetit, që të mos publikonte datën e zgjedhjeve për ti dhënë kohë komisionit të reformës territoriale, por tani që komisioni dështoi, pritet që presidenti deri të enjten të firmosë datën e zgjedhjeve.

 

Sipas kodit zgjedhor, kreu i shtetit Begaj, mund të zgjedhë një prej të dielave të periudhës nga 15 prilli në 15 maj, por shumica e forcave politike në vend kanë propozuar 14 majin si datën kur do të zhvillohet beteja për 61 bashkitë e vendit. Nga momenti që publikohet dekreti presidencial për datën e zgjedhjeve, vihet në lëvizje mekanizmi për organizimin e procesit elektoral.

 

 

Brenda dy ditëve thirret në detyrë kolegji zgjedhor, i cili do të gjykojë të gjitha mosmarrëveshjet elektorale deri në daljen e rezultatit përfundimtar.
Brenda 5 ditëve fillon puna për hartimin e listave të zgjedhësve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, urdhëron zyrat e gjendjes civile të fillojnë procesin e hartimit të ekstraktit të përbërësve zgjedhorë.

 

 

Por, edhe pse data e zgjedhjeve nuk ka dalë, palët tashmë e kanë nisur fushatën elektorale, partia socialiste duket se do të garojë e vetme, duke synuar fitoren e shumicës së bashkive dhe përballë saj Sali Berisha po synon të përfshijë brenda koalicionit çdo parti opozitare pavarësisht peshës elektorale. Por, sfida kryesore e Sali Berishës është bashkimi i Partisë Demokratike, një proces që duket i vështirë për tu arritur.

 

 

Nga ana tjetër, nëse gjykata nuk shprehet për vulën e logon e PD, i vetmi që ka të drejtë të regjistrojë kandidatët në emër të Partisë Demokratike është Lulzim Basha, i cili në gjykatë figuron si kryetar i saj edhe pse dha dorëheqjen në muajin mars. Dhe në këtë situate Sali Berisha duhet të shohë një tjetër mundësi ligjore për të regjistruar kandidatët që do të garojnë në 61 bashkitë e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *