Shtetet e Bashkuara kanë dënuar incidentet e dhunshme që kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.
“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha zëdhënësi.
Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet”.
Këto komente vijnë pasi që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente, përfshirë të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave – por, pa pasoja në njerëz.
Më 6 dhjetor, grupe dhe persona “të maskuar” dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potokut. Këto incidente ndodhën në kohën kur Policia e Kosovës po shoqëronte zyrtarët zgjedhorë për në zyrat e tyre, teksa autoritetet po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale në veri, të caktuara për 18 dhjetor.
Edhe në ditët pasuese janë regjistruar shpërthime dhe incidente të tjera. Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia për incidentet e fundit.
Për shkak të situatës së krijuar, Policia njoftoi për rritjen e prezencës në veri të Kosovës.
Pas incidenteve në veri, SHBA-ja bëri thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve, pasi tha se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se pasi të pranojë vlerësimet e organeve të sigurisë, do të konsultohet me partitë politike për të shtyrë ose jo mbajtjen e zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Zgjedhjet në veri u shpallën pasi përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në muajin nëntor. Ata dhanë dorëheqje për shkak të kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale, të lëshuara nga Serbia.