Nëse jeni në kërkim të ideve rreth atyre që do të gatuani për darkën e Vitit të Ri, ose nëse jeni kuriozë të dini se çfarë është tipike në vende të ndryshme të botës për këtë natë: hidhni një sy këtu. Elle.it na shuan kuriozitetin se çfarë përgatitet për këtë darkë në 15 vende të ndryshme të botës. Dhe pastaj traditat më kureshtare që lidhen me ditën e parë të vitit.

Amerikë

Në Shtetet e Bashkuara, në tryezën e Vitit të Ri nuk mungojnë kurrë fasulet me “sy të zi”(black-eyed-peas), të cilat sjellin fat sidomos nëse shërbehen me lakër. Në disa zona të vendit, kryesisht aty ku u vendosën kolonizatorët gjermanë, konsumohet edhe mish derri, simbol i bollëkut. Në të gjitha darkat në shtëpitë anë e mbanë vendit nuk mungon kurrë një muzikë e ëmbël dhe kënga e amerikanëve për t’i dhënë lamturinën vitit të vjetër e për të mirëpritur atë të riun.

Francë

Në shtëpitë franceze, nata e Shën Silverstre festohet me “fois gras”, ostrike dhe kërminj, shoqëruar nga një shampanjë e mirë. Kudo ka dekorime  veshtullash dhe të shkëmbesh puthje në mesnatë poshtë kësaj bime është një ogur i mirë. Në Paris, pjesa më e madhe e njerëzve mblidhen në Katedralen Sacro Cuore ose Champs Elysees për të shijuar spektaklin e fishekzjarrëve.

 

Rusi

Duke qenë se në Rusi Krishtlindjet nuk festohen, Viti i Ri-Novy God-në rusisht, kjo festë vjen me tavolina të mbushura plot, dhurata dhe ardhjen e Ded Moroz. Sallata ruse (të cilën e gatuajmë dhe ne) shoqërohet nga havjar, kolodets, një lloj byreku me mish dhe nga brumëra të vegjël të kripur si dhe seledka (një pjatë ku peshku mbulohet nga shtresa të ndryshme perimesh si panxhari, karotat, qepët. Gjithashtu nuk mungojnë mandarinat…dhe vodka, natyrisht!

Spanjë

Në Spanjë përgjithësisht konsumohet një darkë me bazë peshku dhe butakësh, por momenti më i rëndësishëm vjen në prag të mesnatës: çdokush duhet të bëjë gati 12 kokrra rrushi. Në 12 sekondat e fundit para mesnatës ato duhen konsumuar një nga një duke shoqëruar çdo kokërr me një trokitje deri në ardhjen e vitit të ri.

Australi

Duke qenë se Viti i Ri në Australi bie në mes të verës, normalisht festohet në plazh, ose duke organizuar barbecue me tipe të ndryshme mishi (gic, pulë, kangur…)Disa organizohen me miqtë në kopsht, duke e shoqëruar banketin me lëng frutash, sallatë dhe fruta të freskëta.

Tajlandë

Në Tajlandë Viti i Ri—Songkran në thai—festohet me pastat klasike: gjatësia e këtyre pastave, për atë që i ha, është simboli i një jete të gjatë e të lumtur. Në disa zona konsumohet edhe një lloj torte me oriz dhe fasule, e cila ndonjëherë piqet mbi gjethe bambuje.

 

Angli

Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Londrën magjike, menuja e Vitit të Ri është e ngjashme me atë të Krishtlindjeve: gjel deti i mbushur me gështenja si pjata kryesore e Krishtlindjeve dhe puding si ëmbëlsirë. Por për natën e Shën Silvestrit, në ëmbëlsirë vendosen edhe monedha: ai që i gjen do të ketë fat me paratë gjatë vitit të ardhshëm!

Gjermani

Në Gjermani, Viti i Ri është sinonim i Feuerzangenbowle, një pije e ngjashme me verën brule, që përgatitet me verë të kuqe, rum, lëkura portokalli, kanellë dhe karafil. Gjatë dollisë së mesnatës, që sigurisht bëhet me një pije të tillë, shkëmbehen çokollatë të vogla të cilat janë simbol i fatit të mirë. Gjithashtu e rëndësishme është të lini në tryezë një pjatë të mbushur me ushqim, në mënyrë që viti i ri të hyjë në shtëpi duke sjellë prosperitet.

 

Vendet e ulëta

Simboli i vërtetë i Vitit të Ri në Vendet e Ulta është rrethi, që prezanton fundin e vitit të vjetër dhe fillimin e atij të ri. Për këtë arsye nuk mungojnë kurrë ëmbëlsirat si donuts me të mbushura me mollë të shoqëruara me shampanjë ose birrë .

 

Karaibe

Në Karaibe Viti i Ri bie në mes të verës, kështu që shijohen pjatat e freskëta si guava, një frut i freskët dhe i shijshëm. Në Kubë nuk mungon yukka, një rosto e butë derri e marinar me erëza aromatike  dhe e shërbyer me një salcë me vaj, limon e hudhër, e shoqëruar nga perime të freskëta dhe patate e banane të skuqura.  Për darkat më klasike nuk mungojnë aragostat: pjatë e shijshme për  t’u provuar në Karaibe.

 

Meksikë

Në Meksikë, Natën e Vitit të Ri darkohet me gjelin e detit ntë furrë  i mbushur me mish, fruta e arra, shoqëruar me një salcë kumbullash. Gjithashtu përgatitet një ponç, një pije me bazë frutash dhe kanellë, që shoqërohet nga konjak dhe rum.

Brazil

Edhe në Brazil mishi i gjelit të detit nuk mungon në Tavolinë natën e Shën Sivlestrit, shoqëruar me frutat e zonës. Në vendet pranë detit, preferohet peshku, butakët dhe kus-kusi. Në Rio de Jainero konsumohen thjerrëzat, si një shenjë e prosperitetit dhe duhen ngrënë 7 kokrra rrush e duke mbajtur farat e tyre në portofol, për të pasur sa më shumë para vitin që vjen.

Japoni

Menuja e Vitit të Ri në Japoni bazohet në simbologjinë e çdo pjate, që do të sjellë diçka të mirë gjatë vitit të ardhshëm: kouhakukamaboko sjell gëzim dhe shenjtëri, bishtajat e sojës së zezë sjellin  shëndet të mirë, kurse otoso, vret shpirtrat e këqinj dhe garanton një vit pa sëmundje dhe dhimbje koke.

Emiratet Arabe

Në Emirate, për shkak të popullsive internacionale, në shumë vende Viti i Ri festohet në restorante me pamje nga plazhi dhe nën spektaklet e fishekzjarrëve ku gatuhen menu nga gjithë vendet e botës.

Itali

Në këtë vend, darka e Vitit të Ri nuk mund të quhet e tillë nëse mungojnë thjerrëzat dhe cotechino (një lloj sallami), të parat simbol i fatit dhe i dyti simbol i ekonomisë. Një rol të rëndësishëm zënë dhe frutat: rrushi ashtu si thjerrëzat sjell fat, kurse shega lumturi e dashuri për vitin që do të vijë. Për momentin e ndërrimit të viteve, sigurisht nuk mungon një spumante e mirë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *