Subscribe

Incidenti në takimin me strukturat dhe anëtarësinë e Partisë Socialiste në Elbasan, ka shtyrë dy deputetet socialiste Mimoza Hafizi dhe Arta Dade, t’i kërkojnë grupit parlamentar të diskutojnë mbi gjithçka ndodhi atje. Deputetet konfirmuan për Vizion Plus, se në kërkesën drejtuar grupit, kanë ngritur shqetësimin mbi incidentin e ku u përfshi kolegu i tyre Ben Blushi. Ato kërkojnë që në mbledhjen e së hënës të analizohet incidenti në fjalë. Sipas tyre ajo çka ndodhi ne Elbasan ishte e papajtueshme me vlerat dhe parimet demokratike të Partisë Socialiste. Reagimi i dy ligjvënësve socialiste, vjen pasi deputeti Blushi foli në takimin ku mori pjesë,  edhe pse nuk kishte ftesë për të qenë i pranishëm. Sulmet ndaj deputetit të zgjedhur në Qarkun e Elbasanit në garën elektorale të vitit 2013, nisi menjëherë sapo ai hyri në sallë. Disa anëtare te partisë e fishkëllyen dhe shanë deputetin. Pavarësisht kësaj sjelljeje ai insistoi dhe mbajti një fjalë përpara socialistëve, duke sfiduar kryeministrin Rama dhe duke e pyetur drejtpërdrejt se përse nuk ka zgjedhje të kryetarit në parti.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *