Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, është shprehur se 2019 nuk do të jetë viti kur do të përfundojnë bisedimet dhe të arrihet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Në reagimin e tij shefi i diplomacisë serbe ka thënë se kur të arrihet marrëveshja  mes Kosovës dhe Serbisë, ajo do të vërtetohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

 

Në një prononcim për mediat serbe, Daçiç, ka theksuar se po planifikohej që dialogu të përmbyllej deri në fund të mandatit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, të cilës i përfundon mandati në katër mujorin e fundit të vitit 2019. Daçiç dyshon kjo mund të ndodhë pas bllokadës së bisedimeve dhe se thotë se është  e sigurtë se Mogherini në të ardhmen nuk do të jetë ndërmjetësuese në bisedime.

 

“Ka shumë arsye se pse bisedimet nuk do të përmbyllen deri në fund të vitit. Shqiptarët po këmbëngulin se marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse ne njohim pavarësinë e Kosovës”.

 

Sipas tij, është një sukses i madh që në dialog është kthyer tema e zgjidhjeve thelbësore, e jo vetëm në çështjet teknike.

 

Gjithashtu ai ka deklaruar se nuk është hequr dorë nga ideja e korrigjimit të kufirit si një zgjidhje për Kosovën, por se kjo ide nuk është përpunuar.

 

Duke folur për formatin e bisedimeve, ai tha se në qoftë se do të ketë kërkesë për ndryshim dhe të marrë pjesë edhe SHBA, Serbia do të kërkojë që edhe Rusia të përfshihet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *