Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç është shprehur se Prishtina dëshiron që në këto zgjedhje të votohen serbët që nuk përfaqësojnë interesat serbe, por që sipas tij do të jenë në ndikim të tyre.
Në emër të Qeverisë së Serbisë, Daçiç ka bërë thirrje serbëve në Kosovë të votojnë për Listën Serbe sepse siç thotë ai, ata janë garanci e politikës së njëjtë me Beogradin dhe do të shërbejnë në mbrojtje të interesave nacionale dhe shtetërore.
“Prishtina dëshiron të zgjedhen serbët që do të ishin në ndikim të tyre, të Thaçit, Haradinajt ose cilëdo serbë të tjerë, por të jenë serbë që nuk përfaqësojnë interesat e serbëve. Nga ana tjetër, populli serbë ka interes të votojë për përfaqësuesit e vërtetë të popullit serbë pa të cilët nuk është e mundur të udhëhiqet politika në mbrojtje të interesave kombëtare dhe shtetërore”.
Ndër të tjera Daçiç ka akuzuar Prishtinën për përdorimin e metodave të ndryshme për të realizuar synimin e saj, përfshirë ndalimin e zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë fushatës dhe ndalimin e votimit të serbëve që nuk kanë dokumentacion të Kosovës.