Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin morën vaksinën ruse kundër koronavirusit – Sputnik V – në Institutin e Virologjisë Torlak në Beograd, njoftoi qeveria serbe.

Siç thuhet, vaksinën ruse e kanë marrë edhe një sërë zyrtarësh tjerë serbë, përfshirë Marija Gnjatoviç, nga Instituti për Energjinë Bërthamore, Dragana Despot, drejtoreshë e Institutit për Biocide dhe Ekologji Mjekësore dhe Mirsad Gjerlek, sekretar i Shtetit në ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë.

“Të gjithë jemi mirë. Do të marrim dozën e dytë brenda tre javësh, por nuk kam dyshim se do të jemi mirë. Ne nuk kërkuam të bëjmë vaksinën, por iu përgjigjëm kërkesës së ekspertëve që zyrtarët më të lartë të tregojnë publikisht se nuk kanë frikë nga vaksinat”, tha kryetari i Kuvendit, Ivica Daçiç.

Ai deklaroi se ky veprim nuk ka motive politike dhe shtoi se është rënë dakord që udhëheqësit e lartë institucional të merrnin vaksinat nga prodhues të ndryshëm në mënyrë që të rrisin besimin e qytetarëve në vaksinimin kundër COVID 19.

“Ne do të ju informojmë nëse nuk jemi mirë, por nuk besoj se vaksina ruse do të na ‘godasë’”, u tha Daçiç gazetarëve./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *