Subscribe

Të gjithë qytetarët që nuk e kanë rinovuar kartën e identitetit, nuk do të kenë mundësi që të marrin shërbime publike dhe nuk do të votojnë dot më 25 prill në zgjedhjet parlamentare.

 

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa aplikoi për kartën e re të identitetit, ka apeluar të gjithë qytetarët që t’i drejtohen zyrave të gjëndjes civile.

 

“Karta e identitetit është çelësi kryesor që mundëson që shqiptarët të marrin dhjetëra shërbime online që ofrohen përmes portalit e-Albania. Këto shërbime përfitohen vetëm duke pasur një dokument identiteti të vlefshëm. Përveç kësaj dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve që të aplikojnë për dokument identifikimi, nëse iu ka skaduar, sepse në zgjedhjet e 25 prillit ky dokument do të jetë i vetmi për identifikimin e zgjedhësve”, tha Çuçi.

 

Ndër të tjera, Çuçi tha se janë hapur 6 zyra të reja që u mundësojne të gjithë shqiptarëve jashtë vendit për aplikimin e kartës së identitetit.

 

“Përsa iu përket shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut, janë hapur 6 zyra të reja aplikimi pranë konsullatave tona në disa vende europiane, në mënyrë që ata të aplikojnë për rinovimin e kartës së identitetit”, shtoi ai.

 

Deri tani janë rreth 800 mijë qytetarë që u ka skaduar karta e identitetit dhe pritet që të pajisen me dokumentin e ri.

 

Me ndryshimet e fundit ligjore, ata që pajisen me kartë identiteti pas moshës 75 vjeç, nuk kanë më nevojë ta rinovojnë këtë dokument derisa të jenë në jetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *