E hënë, 28 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:00 Në vijim ora 14:00: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“COVID-4 është gati”/ Rama për Metën dhe Kryemadhin: Kanë dalë nga binarët

Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili tha se spitalet po shkojnë drejt kolapsit dhe se Shqipëria po përballet me mungesë testimesh.

Në konferencën e të martës, kreu i qeverisë i ka hedhur poshtë këto akuza, duke pohuar se spitalet janë larg kolapsit dhe se COVID4 është gati.

“Ajo që dua t’ju them, është që po bëjmë gjithçka, dhe më lejoni t’ju them se është fatkeqësi e madhe që një parti që pretendon se do bëhet shumicë siç ka pretenduar prej shumë vitesh, dhe pretendimi ka dalë i tepruar, dhe do qeverisë vendin pas 25 qershorit, siç u lajmërua nga kryetari i PD. Dhe që përsërit çdo ditë, që spitalet janë në kolaps, përsërit që në Shqipëri nuk bëhen teste, përsërit duhet bërë kjo e ajo, a thua se është i autorizuar nga ndonjë mandat eksperti. Është e dëmshme, shumë e dëmshme. Spitalet janë larg kolapsit. Para dy ditësh është hapur COVID-3, ku bëhet transferimi i pacientëve pak më lehtë, pasi qëndrojnë në dy spitalet bazë, COVID-4 është gati, dhe pret të hyjë në sistem në funksion të kujdesit për ata që kanë nevoje të shtrohen”, tha Rama.

Nga ana tjetër, ai e quajti “shpifje” deklaratën e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për ndryshimin e pronësisë së tokës ku po ndërtohet godina e shkollës “Sami Frashëri”.

“Shpërthimi i kësaj injorance në mjedisin publik përmes zërit të individëve që kanë mandate përfaqësimi si kryetarë partish apo si zëdhënës të një komuniteti të caktuar zgjedhësish është një flamë jashtëzakonisht problematike në kushtet kur në fakt ne duhet të ballafaqohemi me ide, argumente, fakte dhe shifra. Vala dhe intensiteti i gënjeshtrave është aq e madhe, sa nuk di çfarë të verifikosh më parë. Shkolla Sami Frashëri është aty, shkoni dhe këqyrni në vend kush thotë të vërtetën dhe kush gënjen. Është për të ardhur keq. Covid është diçka shumë serioze për të bërë humor, por kur Monika thotë që LSI nuk e zë virusi, ofron faktikisht një tjetër mirësi, nga mirësitë e LSI që ofronte patenta për leje drejtimi të makinave për persona nën moshën e lejuar nga ligji, në këmbim të votës. Apo ofronte vende pune për infermierë që nuk kishin bërë shkollën dhe nuk dallonin gjilpërën nga gozhda. LSI ka furnizuar me diploma false një dynja të tillë, nga ato historitë me tallava e tiganë. Tani ofron bashkimin me LSI për të mos u prekur nga Covid, duke lënë të kuptohet se virusi e ka frikë LSI. Edhe virusi i druhet LSI, kur i afrohet. Kjo është ideja. Vetëm Luli nuk e ka kuptuar akoma këtë”, theksoi kreu i qeverisë.

Rama tha mes të tjerash se Kryemadhi dhe Meta kanë dalë komplet nga binarët dhe se as nuk duhet imagjinuar që të marrin në dorë fatin e vendit.

Vazhdo të lexosh