Kryetari i Këshilltarëve bashkikë të PD, Kreshnik Çollaku akuzoi Këshillin Bashkiak të Tiranës se votoi vendime në kundërshtim me ligjin në mbledhjen e kësaj të premteje.

 

Në një deklaratë për mediat, nga selia blu, Çollaku tha se numri i këshilltarëve bashkiakë ishte 31 dhe jo 37 siç e kërkon ligji për vendimmarrjen e përdorimit të pronave publike.

 

Teksa e cilësoi një akt mafioz, Çollaku akuzoi kryebashkiakun Veliaj se përmes këtij vendimi, sipas tij, po u bën favore grupeve të caktuar që kanë si synim gllavërimin e pronës publike.

 

“Sot në Këshillin Bashkiak të Tiranës është deklaruar se janë miratuar 6 vendime që lidhen me administrimin, dhënien, përdorimin apo qiranë e pronave publike në Tiranë. Nga drejtuesit e Këshillit është deklaruar miratimi i këtyre vendimeve, të cilat, në bazë të ligjit të vetëqeverisjes vendore si detyrim kanë përcaktimin, në nenin 54/e të këtij ligji, votimin e tyre me një shumicë prej 3/5-ash nga këshilltarët bashkiakë. Në fakt rezulton, sikundër mund të verifikohet edhe nga pamjet e kamerave, se në momentin e votimit, të pranishëm janë 31 anëtarë të këshillit bashkiak, pra, shumë larg kuotës prej 37 votash të cilat detyron ligji vendimmarrjen për përdorimin e pronave publike. Ky akt mafioz, manipulator, grabitës, mbi pronën publike në Tiranë, qartësisht bëhet që mafias, klientëve pranë kryetarit të bashkisë së Tiranës t’u serviren, t’u plotësohet oreksi për grabitjen dhe gllabërimin e pronave publike në Tiranë.”

 

Çollaku tha më tej se as asnjë anëtar i Këshillit Bashkiak, nuk ka pasur dijeninë dhe informacionin se çfarë përmbajnë vendimet e votuara në mbledhje.

 

Sipas tij, përmbajtja e vendimeve është mbajtur sekret pasi lidhen direkt me trualle publike dhe prona në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *