Deri në fund të vitit 2022, 45 shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve nuk arritën dot të mbulonin kostot e për pasojë, detyrimet e prapambetura ndaj OSHEE-së vijuan të rriten, duke kapur vlerën e 14 mld lekëve.

Ujësjellës Kanalizimet raportojnë se e mbyllën vitin me këtë bilanc negativ për shkak të kostove të shtuara të energjisë elektrike, të fuqisë punëtore, si edhe të lidhjeve të shumta të paligjshme.

 

Për të dalë nga kjo situatë, Enti Rregullator i Ujit paralajmëron se konsumatorët mund të përballen me një rritje të tarifës së ujit, e ardhur si kërkesë nga shoqëritë.

 

NDRIÇIM SHANI

KRYETAR, ENTI RREGULLATOR I UJIT

 

“Kryesisht janë shoqëritë e vogla që kanë kosto të mëdha dhe me tarifën që kanë aktualisht nuk mbulohen. Ajo që është e pritshme janë aplikime dhe propozime për të rishikuar tarifën. Për ato shoqëri që kanë vërtet tarifa të vogla, janë tarifa nën vlerën që duhet për të mbuluar shpenzimet e kompanisë, ka të tilla dhe janë diferenca 2-3 fish.”

 

Pasi të përfundojë reforma e shoqërive të Ujësjellës Kanalizime, e nisur vitin e shkuar nga qeveria, Enti Rregullator i Ujit flet edhe për një unifikim tarifash, çka do të thotë se në ato bashki ku konsumatorët paguajnë vlera të përafërta për ujin, tarifa do të barazohet.

 

NDRIÇIM SHANI

KRYETAR, ENTI RREGULLATOR I UJIT

 

“Duke parasysh që ka diferenca të mëdha në tarifa, njëra përshembull ka 70 lekë dhe tjetra 20 lekë, këtu nuk ka hapësirë që të ulet tarifa, por për përmirësimin e gjendjes financiare në mënyrë graduale, duhen tarifa më të larta, por që nuk mund të unifikohet. Ato që janë të përafërta si tarifa, ka shoqëri rajonale që i kanë vlerat e përafërta dhe në këtë rast është e arsyeshme dhe e pranueshme, këtu përmendim Beratin, në Elbasan, në Lushnje, pastaj në Durrës nuk është e mundur, po kështu edhe Fieri, ka diferenca të mëdha ndërmjet njësive. Shikohet rast pas rasti. Bëhet një studim ku është e mundur.”

 

Që pas nisjes së reformës në këtë sektor, janë krijuar 12 shoqëri Ujësjellës Kanalizime dhe afati për aplikime prej tyre pranë Entit Rregullator për rritje tarifash për konsumatorët është deri në fund të gushtit.

 

Por ajo qe bie ne sy ne kete reforme eshte se në vend që shoqëritë të punojnë më shumë për të rregulluar problemet e tyre, ato zgjedhin rrugën më të lehtë duke u marrë më shumë lekë konsumatorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *