Nga 1 nëntori, taksitë elektrike do ta paguajnë më shtrenjtë çmimin e energjisë elektrike që përdoret për karikimin e mjetit.
Sipas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë, nga 14 lekë/kWh, çmimi i ri në stacionet e karikimit me fuqi të instaluar mbi 11 kWh do të jetë 22 lekë/kWh.
Në orët e pikut, që janë ato të darkës, kur konsumi i energjisë është më i lartë, çmimi do të paguhet edhe më shtrenjtë.
“Rritja është bërë si rrufe në qiell të hapur, nuk ka pasur konsultim me grupet e interesit. Vetëm në Bashkinë e Tiranës, 60% e taksive janë elektrike. Ngushton të ardhurat e taksistëve, sepse çmimi për shërbimin taksi për klientët nuk shtohet, është atribut i Këshillit Bashkiak. Taksometri është taksativ dhe kush nuk e ka, penalizohet, i merret licenca. Çmimi për klientët nuk lëviz. Duhet të ishte konsultuar me grupet e interesit. E ka detyrim ligjor. I kemi dërguar shkresë ministres dhe ERE-s që të konsultohet me ne. Kërkojmë të anulohet vendimi. Nëse nuk anulohet, do të bëjmë të gjithë hapat ligjorë. Mund të shkojmë deri në grevë”, tha Xhevit Bara, Sindikata shqiptare e taksive.
Ekspertët, nga ana tjetër, thonë se rishikimi i çmimit ishte i nevojshëm.
“Është domosdoshmëri që çmimi i energjisë elektrike për flotën e taksive të ndryshojë, sepse nuk është normale që një kompani taksish ta paguajë çmimin e energjisë elektrike me të njëjtin çmim që e paguan një familje shqiptare energjinë. Çmimi që kanë paguar deri tani ka qenë 14 lekë/kWh, ndërsa me çmimin e ri do të jetë rreth 20 lekë dhe do të ketë çmim normal dhe çmim piku në rastin e ngarkesës. Nuk ishte normale që të kishim të njëjtin çmim, prandaj duhej ky ndryshim i çmimit”, shprehet Azmer Duleviç, inxhinier elektrik.
Sipas Entit Rregullator të Energjisë, gjatë vitit 2025 ka pasur një rritje të konsiderueshme të konsumit të energjisë për karikim.
/vizionplus.tv





