24 vjeçari Ridvan Zykaj shkaktoi një masakër të tmerrshme në fshatin Resulaj të Vlorës pasditen e të premtes, duke tronditur gjithë opinionin. I riu qëlloi me breshëri automatiku ndaj njerëzve të tij të afërt duke lënë 8 të vrarë, mes tyre gra e fëmijë.

 

Me një armë automatiku kallashnikovi në dorë i riu hyri fillimisht në shtëpinë e xhaxhait të të atit. Hapi zjarr dhe la të vdekur çiftin e moshuar Demir dhe Perie Zykaj si dhe dy djemtë e tyre Azemin e Besimin së bashku me bashkëshortet Afërdita dhe Vasilika.

 

Çmendurisë së Ridvan Zykajt nuk kanë mundur ti shpëtojne dot as fëmijët e mitur të Besimit dhe Vasilikës, Ledioni e Sara.

 

Pasi kreu krimin Ridvan Zykaj u largua së bashku me armën e krimit nga vendngjarja, ndërsa policia lokale dhe forcat speciale janë vënë në ndjekje të tij. Ndërsa u është bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi, pasi është i armatosur.

 

Trupat e viktimave janë dërguar në morgun e spitalit të Vlorës për t’iu nënshtruar autopsisë.

 

Motivi i krimit është ende i paqartë, por burimet e policisë konfirmojnë se shkak mund të jetë bërë edhe pronësia, pasi familja e vrasësit ishte në konflikt prej disa kohësh me kushërinjtë. Referuar burimeve të policisë mësohet se 24 vjeçari Ridvan Zykaj ishte grindur pak kohë më parë me kushërinjtë e tij.

 

Përpara se të derdhte breshërinë e plumbave ai kishte qenë në një drekë me familjen  nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë nën efektin e alkolit ndërsa mësohet se ka pasur edhe probleme mendore.

 

Ndërkohë në Vlorë për ngjarjen e rëndë shkuan edhe ministri i Brendshem Fatmir Xhafaj si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *