“Një çmenduri kolektive”, kështu është karakterizuar fundjava në Itali pasi nga veriu në jug, ka filluar jeta e natës, tubimet pa asnjë masë mbrojtëse apo distancimi si dhe përleshjet mes të rinjve. Sidomos në Napoli.

Në Romë janë kryer të paktën 3 mijë kontrolle policore gjatë një nate. Zonat më problematike kanë qënë sheshet kryesore dhe lokalet e natës. Ndërsa  në Foggia dhe Bari ka patur kaos në trafik.

Kryetarët e bashkive kanë paralajmëruar se do të marrin masa të tjera izolimi nëse qytetarët nuk tregohen të përgjegjshëm.

 ATTILIO FONTANA KRYETAR I LOMBARDISE

“Dalja jashtë nuk është më e ndaluar, por distancimi dhe përdorimi i maskës janë thelbësore! Mirëpres masat kufizuese të kryetarëve të komunave, të cilëve u kërkoj edhe njëherë ashpërsi dhe qëndrueshmëri. Nuk mund të hedhim poshtë mundin e miliona italianëve që kanë sakrifikuar deri më sot.”

Ndërkohë në Europë, nga kjo e hënë fillon një fazë e re e lehtësimit të masave kundër pandemisë, pasi numri i të infektuarve të rinj po vazhdon të ulet. Në Gjermani dhe Çeki janë hapur restorantet, pasi më herët ishte lejuar vetëm shërbimi jashtë ambienteve të mbyllura, kryesisht në tarraca.

Spanja filloi heqjen e masave të izolimit në Madrid dhe Barcelonë. Sipas rregullave të reja, njerëzit do të jenë në gjendje të takohen në grupe deri në 10 persona. Parqet do të rihapen dhe disa muze do të lejojnë një numër të kufizuar vizitorësh. Njerëzit duhet të vazhdojnë të mbajnë maska mbrojtëse në publik dhe në ndërtesa ku distancimi fizik është i pamundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *