Greqia dhe Maqedonia duket se kanë arritur të gjejnë një zgjidhje të pa propozuar më herët për ngërçin disavjeçar të emrit. “Ilinden Maqedonia” është një nga emrat e mundshëm që u diskutua të enjten në samitin e Sofjes mes kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe atij maqedonas, Zoran Zaev.

 

Kryeministri Zaev, në një intervistë për mediat bullgare, tha se dy vendet duhet të arrijnë një zgjidhje për mosmarrëveshjen e emrit para takimit të BE-së më 28 qershor.

 

“Takimi me kryeministrin grek, mikun e Maqedonisë,  Alexis Tsipras, shënoi përparimin që kemi bërë në procesin e gjetjes së zgjidhjes për mosmarrëveshjen e emrit. Kemi diskutuar për disa opsione dhe kemi miratuar një opsion që është reciprokisht i pranueshëm për të dy pale”

 

Zaev shton se vendi i tij nuk ka pretendime për emrin dhe se më e rëndësishme është që kjo çështje të mos bëhet pengesë për integrimin, por gjithashtu thekson se historia nuk duhet injoruar.

 

Nga ana tjetër kryeministri grek është shprehur se ka ende shumë për të bërë për zgjidhjen e çështjes së emrit, pasi negociatat janë tepër komplekse.

 

Ende nuk ka asnjë reagim nga opozita greke lidhur me emrin e ri të dalë nga takimi në Sofje mes Zaev dhe Cipras.

 

Nëse marrëveshja për konfliktin 25-vjeçar mes Shkupit e Athinës arrihet deri në qershor edhe me miratimin nga palët opozitare të dyja vendeve, për Maqedoninë aktivizohet ftesa zyrtare për anëtarësimin në NATO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *