Presidenti i ri i Iranit ka konfirmuar mbështetjen për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe ka premtuar të stabilizojë marrëdhëniet me vendet fqinje arabe në rajonin e Gjirit.

 

Presidenti i zgjedhur iranian Ebrahim Raisi është një besnik i regjimit dhe kritik i hershëm i Perëndimit.

 

Ai ishte aktiv në Revolucionin Islamik të vitit 1979 dhe u ngjit në krye të gjyqësorit. Por si president, ai nuk do të gëzojë pushtet të vërtetë politik, thotë analisti Alex Vatanka.

 

“A do të jetë ai në gjendje të ndërrojë kurs; ta orientojë vendin në një tjetër drejtim? Absolutisht jo. Nuk e ka këtë fuqi”, thotë Alex Vatanka, drejtor i programit për Iranin, në Institutin e Lindjes së Mesme.

 

Këtë lloj pushteti e ka Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

 

Nëpërmjet dishepullit të tij Raisi, Khamenei ka shprehur mbështetjen për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Ish-Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018.

 

Kritikët e marrëveshjes thonë se Uashingtoni duhet të jetë shumë i kujdesshëm për rifutjen në këtë marrëveshje.

 

“Khamenei nuk sheh më interes për t’u paraqitur si i moderuar dhe nuk duket se ka as dëshirën të bëjë ndryshime kozmetike në Republikën Islamike, pasi e di se interesi i Shteteve të Bashkuara për rikthimin e marrëveshjes është i lartë”, thotë Behnam Ben Taleblu, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

 

Bisedimet bërthamore në Vjenë mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore u mbyllën të djelën. Raisi ka gjasa të emërojë një ekip të ri negociatorësh, por nuk do të ketë ndryshime madhore në politikën e jashtme iraniane, thotë zoti Vatanka.

 

“Iranianët nuk do të largohen nga Vjena vetëm sepse ai është tashmë presidenti i zgjedhur. Ai ka përmendur Kinën, se ka shumë dëshirë ta vazhdojë marrëveshjen strategjike 25-vjeçare që u nënshkrua me kinezët në muajin mars. Duhet të presim për të parë se çfarë do të thotë kjo”, thotë zoti Vatanka.

 

Raisi ka thënë se do të përpiqet të stabilizojë marrëdhëniet me vendet rivale arabe në rajon.

 

“Ndoshta Riadi, Abu Dabi dhe të tjerë në botën arabe, do ta marrin pak më seriozisht Raisin, pasi e shikojnë si një kukull të Ayatollah Khameneit”, thotë zoti Vatanka.

 

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se Raisi ishte një ndër katër gjykatësit që mbikqyrën ekzekutimin e mijëra të burgosurve politikë në vitin 1988. Ai vazhdon të radhitet në listat e sanksioneve amerikane.

 

“Angazhimi me një regjim pjesë e të cilit është dikush që mbikqyrte ekzekutimet masive në Teheran në fundin e viteve 1980-të, nuk do të jetë mënyra më e mençur e veprimit nga Uashingtoni”, thotë zoti Taleblu.

 

Në fund të fundit, do të jetë populli iranian që do të mobilizohet për të përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre, thotë analistja franceze Mahnaz Shirali.

 

“Mendoj se nuk jemi larg demonstratave. Mendoj se shoqëria iraniane është mbarsur me lëvizje të thella. Kështu që mendoj se pas këtyre zgjedhjeve do të kemi një popull që ka fituar vetëbesim në aftësinë për të vepruar, për të mos toleruar kaq shumë padrejtësi”, thotë zonja Shirali, nga Instituti i Parisit për Studimet Politike.

 

Sidoqoftë, analistët parashikojnë se nën Presidentin Raisi, regjimi iranian do të vazhdojë të shtypë çdo shenjë disidence politike./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *