Personi që shihni në foto është Arlen Hasanaj, 34-vjeçari i akuzuar si autor i vendosjes së tritolit në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

 

Ai u shoqërua orët e vona të të martës nga ana e agjentëve të policisë. Pas dëshmisë së dhënë dhe provave të mbledhura në vendngjarje, hetuesit i komunikuan të riut masën e arrestit. Kjo pasi siç shihet edhe nga fotoja, 34-vjeçari ngjason me personin që afrohet dhe vendos lëndën plasëse në derën e jashtme.

 

Por krahas këtyre pamjeve që Vizion Plus ka siguruar, kanë qenë dhe disa kamera të tjera të rrugës kryesore të qytetit të Durrësit ato që çuan në gjurmët e autorit të dyshuar.

 

34-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

 

Ngjarja mendohet se ka të bëj me një konflikt që lidhet me bizneset e numrit një të qeverisë së futbollit, Armand Duka dhe Arlen Hasanajt. agjentët kanë ngritur dyshime të forta pasi 34-vjeçari, i cili ishte klient tek kompanitë e Armand Dukës, kohët e fundit kishte shfaqur pakënaqësi.

 

Por nga ana tjetër, po vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore. Shpërthimi me tritol ndodhi mbrëmjen e të hënës rreth orës 22:00, ndërsa në banesë ndodheshin familjarët e Dukës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *