Çfarë duhet të bëjnë emigrantët për të votuar në 25 prill?

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi përshkroi hap pas hapi se çfarë duhet të bëjnë emigrantët për të votuar në 25 prill.
Nga studioja e “Quo Vadis”, ai shpjegoi se gjithçka nis me shprehjen e interesit dhe deklarimin e vendbanimit të përhershëm që ka jashtë Shqipërisë.
“Kodi Zgjedhor ka përcaktuar procedurën si e përfiton ti të drejtën për të votuar, më së pari do të duhet të jesh i regjistruar dhe të kesh deklaruar vendbanimin. KQZ në rastin konkret ta sjell fletën e votimit atje ku banon. Emigrantët do të duhet të kenë bërë me dije vendbanimin e tyre të përhershëm. Një qytetar që ka vendbanimin e përhershëm në Itali apo Greqi apo kudo tjetër, do të duhej ta kishte deklaruar këtë gjë në regjistrin e Gjendjes Civile. Ky është një proces që vazhdon dhe nuk ka asnjë pengesë që ta bëjë këtë gjë. Bazuar në këtë, ne do të ndërtojmë listën e atyre që do të duan të votojnë. Për këtë po punojmë, që të përcaktojmë të gjitha rregullat duke filluar nga momenti i regjistrimit si votues emigrant, deri në finalizimin e procesit të votimit e numërimin e votës. Momenti fillestar është shprehja e dëshirës për të votuar. E-Albania është një platform për emigrantët për t’u regjistruar sit ë tillë ose për të evidentuar faktin që janë jashtë Shqipërisë, por nuk ka të bëjë aspak me hartimin e listës së votuesve jashtë Shqipërisë. Ne po punojmë për platformën ku do të regjistrohen votuesit.”



