Subscribe

Manifestimi  mbarëkombëtar i thirrur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është parashikuar të nis në oren 17 të pasdites se 2 Marsit.

Protesta e cila sipas materialit video të bërë publike në rrjetin social të kreut të shtetit do të ketë si lajtmotive mbrojtjen e Shqipërisë ndaj asaj që Ilir Meta e cilëson grushti i shteti dhe lufta kundër shpopullimit të vendit.

Nën sloganin“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, thirrje e cila i ben jehone kohës kur shqiptarët rrëzuan diktaturën komuniste, në protestë është parashikuar se përveç Ilir Metës, do të flasin edhe personazhe të jetës publike.

Manifestuesve iu është kërkuar nga organizatorët që në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, simboli i tyre kryesore të jetë flamuri kuqezi. Edhe mimozat, lulja që simbolizon ardhjen e pranverës janë të mirëpritura.

Të gjithë atyre që do të marrin pjesë iu është kërkuar vetëpërmbajtje dhe jo akte të dhunshme ndaj institucioneve përgjatë bulevardit. “Manifestimi Mbarëkombëtar” thuhet në njoftimin e presidencës, duhet të jetë evropian dhe patriotik kundër dhunës sistematike që një grup puçistësh ushtrojnë ndaj Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese.

Për mbarëvajtjen e manifestimit dhe në përgjigje të çdo incidenti të mundshëm, presidenca ka angazhuar 3 mijë vullnetarë, të identifikueshëm nga shiritat kuqezi që do të mbajnë.

Në mbyllje Kreu i Shtetit do të firmosë para manifestuesve një dekret të rëndësishëm që nga deklaratat e tij ka lënë të kuptohet se ka të bëj me shpërndarjen e parlamentit, nëse kërkesa do të vije nga qytetarët që do të marrin pjesë në tubim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *