Subscribe

Deputetët e PD-së kanë dorëzuar në Kuvend kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës të seancës së nesërme plenare.

 

Demokratët kanë kërkuar mocion me debat pa limit kohor, për t’i dhënë mundësinë çdo deputeti të shprehet në lidhje skandalin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama.

 

Kërkesa e depozituar në Kuvend:

 

Zonja Kryetare e Kuvendit,

 

Ditet e fundit opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar është tronditur prej një skandali të përmasave ndërkombëtare që ka përfshirë edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

 

Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), Departamenti i Drejtësisë Amerikane, dhe media amerikane e ndërkombëtare, më 21.01.2023 është arrestuar zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, i akuzuar për shkelje të sanksioneve ndaj oligarkut rus, Oleg Deripaska, me lidhje të ngushta me Presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe për fshehje, manipulim dhe falsifikim të të dhënave për kontakte të papërshtatshme me shtetas të huaj, ku përfshihet Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij që nuk mbajnë poste zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

 

Në padinë e ngritur ndaj z. McGonigal pranë Giykatës së Distriktit të Kolumbias (Uashington), renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes Kryeministrit Rama dhe z. McGonical, në pranine e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të z. Rama, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

 

Kjo ngjarje e rëndë është bërë publike pas një hetimi të thelluar dy-vjeçar nga zyra e FBI-së në Los Angeles ndaj dy zyrave të FBI-së në Nju Jork dhe Uashington, duke iu nënshtruar tashmë një procesi giyqësor në gjykatat e këtyre dy shteteve.

 

Njëkohësisht, duke patur parasysh se oligarku Oleg Deripaska duhet të ishte i sanksionuar edhe nga Shqipëria që prej 8 Prillit 2023, si vend kandidat që baton sanksionet e Bashkimit Europian, rezulton se ai vazhdon të zotërojë biznese të licensuara drejtpërdrejt nga Qeveria shqiptare, në shkelje të drejtpërdrejtë të këtij detyrimi politik dhe ligjor.

 

Duke patur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të këtij skandali të paprecedentë, ku Kryeministri shqiptar Edi Rama përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, minimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe cënimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; si dhe bazuar në Nenin 31 pika 2 dhe Nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, një grup deputetësh kërkon:

 

1. Ndryshimin e Rendit të Ditës të seancës së datës 02.02.2023, ora 10.00 ;

 

2. Në përputhje me pikën 1, përfshirjen si pikë e parë e Rendit të Ditës të një Mocioni me Debat për çështjen e mësipërme.

 

3. Kërkojmë që debati të mos këtë limit kohor, duke i dhënë mundësinë çdo deputeti të shprehet.

 

Kryetarja e Kuvendit të mbledhë menjëherë pas dorëzimit të kësaj kërkese, Konferencën e Kryetarëve, para fillimit të Seancës Plenare datë 2 Shkurt 2023, ora 10.00, për të bërë ndryshimin e Rendit të Ditës të kësaj seance sipas kërkesës së mësipërme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *