Paraditen e së hënës, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë kërkesën e Adriatik Lapajt për mandatin e vetëm që koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” fitoi më 11 maj, duke i dhënë fund betejës ligjore të forcave politike për zgjedhjet parlamentare. Dhe vetëm pas vendimit të gjyqtarëve të Kolegjit, Komisioni Rregullator mund të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, tre muaj e gjysmë pasi shqiptarët shprehën vullnetin me votë.
Në këtë betejë të fundit për zgjedhjet parlamentare, Adriatik Lapaj ka ndryshuar padinë në Kolegjin Zgjedhor; dhe nuk kërkon më që të bëhet ai deputet, por të lihet në fuqi vendimi i Ilirjan Celibashit, e deputete të bëhet Kleana Xhuveli, e renditur e katërta në listën e mbyllur për qarkun e Tiranës.
Në betejën politike brenda koalicionit, mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit; nëse deputet do të bëhet xhaxhai i Endri Shabanit apo vajza e tezes së Adriatik Lapajt, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nxori një vendim ku sqaron të gjithë marrëdhënien ligjore mes deputetit të zgjedhur dhe votuesve, mes deputetit e partive politike, dhe mes deputetit dhe KQZ-së e Parlamentit.
KAS, pjesë e të cilit është edhe Ilir Rusmali, një prej juristëve që ka shkruar Kodin aktual Zgjedhor, liston disa arsye pse lista e kandidatëve për deputet nuk mund të ndryshojë pas miratimit nga KQZ.
E para; patundshmëria e listës së kandidatëve i shërben të drejtës së zgjedhësve për të njohur ofertën politike të pjesëmarrësve në garë dhe për të pasur siguri që kjo ofertë nuk ndryshon për shkaqe të pavarura nga zgjedhësit.
E dyta; patundshmëria e listës synon të mbrojë interesat e kandidatëve nga diktati i partive politike që i mbështesin. Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve argumenton se KQZ nuk ka asnjë të drejtë as të pranojë dorëheqje nga kandidimi, as dorëheqje nga mandati; duke saktësuar se Kodi Zgjedhor parashikon se një deputet mund të japë dorëheqjen vetëm përpara Parlamentit.
“Ky formulim drastik i dispozitës është bërë pikërisht për të mbrojtur kandidimin dhe zgjedhjet nga taktikat elektorale manipulative. Nëse partitë politike mund të shtërngojnë kandidatët e tyre që të japin dorëheqjen individualisht ose në grup, përpara organeve të partisë apo përpara noterit, kjo gjë nuk mund të ndodhë kur atyre u kërkohet të deklarojnë vullnetin përpara komisionit parlamentar”, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve
Për të gjitha këto arsye, KAS ia dha mandatin e deputetit Ana Dajkos, kandidates së renditur e para në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë Kolegji Zgjedhor ditën e hënë.
Por ndërkaq, vendimi i Celibashit për të pranuar dorëheqjen e 12 kandidatëve në listën e mbyllur të partisë së drejtuar nga Tom Doshi dhe vendimi i tij për t’i dhënë mandatin socialistes Zegjine Caushi, pas dorëheqjes së kandidates Maldrita Bardho, mbeten në fuqi, pasi askush nuk i ankimoi.
/vizionplus.tv





