Ish kryedemokrati, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me urdhër-arrestin e SPAK për ish zv/kryeministrin, Arben Ahmetaj. Ai shprehet se koha i dha të drejtë akuzave të Partisë Demokratike, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për të kundërtën.

 

 

“Një Shqipëri të çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon Afera e Inceneratorëve, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi.

 

Megjithë sulmet e bëra, jo vetëm nga Edi Rama dhe të korruptuarit e tij, por edhe nga brenda opozitës, koha u dha të drejtë denoncimeve me prova dhe fakte të Partisë Demokratike.

 

“Pavarësisht përpjekjeve për ta delegjitimuar Komisionin Hetimor, madje dhe me votën kundër raportit, që shpallte organizatë kriminale Edi Ramën dhe qeverinë e tij, koha i dha të drejtë se ishte hapi i duhur për t’i dëshmuar qytetarëve dhe Prokurorisë korrupsionin me këtë aferë”, shkruan ai.

 

 

Basha shprehet se SPAK duhet t’i shkojë deri në fund hetimeve dhe të “godasë” dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë.

 

“Por SPAK nuk duhet të ndalet, por duhet t’i shkojë deri në fund kësaj afere prej 430 milionë eurosh, sepse njeriu që mban bashkë fijet e krimit dhe korrupsionit është Edi Rama. SPAK nuk duhet të hezitojë të cojë para drejtësisë këdo që ka abuzuar me besimin e shqiptarëve me paratë e tyre”, shkruan ai.

 

Basha këmbëngul sërish në propozimin e tij për vetting të politikanëve, duke shtuar se është e vetmja formë për të larguar të korruptuarit nga qeverisja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *