Subscribe

Të gjithë ata që kërkojnë të shesin shtëpitë e tyre apo ta japin atë me qira, do të detyrohen që të shkojnë dhe të nxjerrin certifikatën e energjisë të banesës. Gjergj Simaku, drejtor i burimeve të rinovueshme në Ministrinë e Energjisë, thotë se ka dy vite që ka punuar për përgatitjen e një ligji i cili në thelb të tij ka kursimin e energjisë dhe sensibilizimin e qytetarëve për të. Certifikata nxirret nga audituesit e energjisë dhe përfshin vlerën e konsumit vjetor në bazë të metrave katrorë, informacion vlerësues për pajisjet dhe karakteristikat e godinës. Simaku thotë se çdokush që merr në përdorim një banesë, ose e ble atë, duhet të dijë dhe koston që do të paguajë kur jeton aty. Por kjo nuk mund të nisë pa ndërgjegjësuar më parë institucionet shtetërore. Tashmë çdo rikonstruksion godine duhet që përpara se të marrë lejen e ndërtimit, të përmbushë 5 kritere minimale për eficencën e energjisë. I njëjti rregull do të vihet edhe për ndërtuesit privatë. Pas miratimit të ligjit që është depozituar në parlament, të gjitha lejet do të bëhen në bazë të kritereve se sa godina kursen energjinë elektrike. Në vitin 2002, Shqipëria miratoi një kod energjie, por “boom”-i i ndërtimeve jo vetëm që nuk respektoi kriteret, por dhe mekanizmat e kontrollit ishin të dobëta, duke bërë që pjesa më e madhe e pallateve të jenë të ftohta, pa oxhakë dhe pa izolim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *