“Pse largohen shqiptarët?”, ishte kjo një nga pikat e diskutimit këtë të mërkurë në studion e Quo Vadis të moderuar nga Pranvera Borakaj në Vizion Plus.

Në një lidhje me SKYPE, aktivistja Edlira Çepani, u shpreh se siguria ushqimore, arsimi, shëndetësia dhe ajri i ndotur janë disa nga arsyet pse po largohen qytetarët nga vendi.

Sipas saj sot shtresa e mesme nuk e sheh veten të jetojë më në Shqipëri, pasi nuk merr shërbimet që ju takojnë.

Pjesë nga biseda:

Pranvera Borakaj: A është siguria e jetës një nga arsyet pse shqiptarët zgjedhin të emigrojnë?

Çepani: Çështja e largimit patjetër që është siguria e jetës. Unë do të thoja që ka një ndryshim relativisht të dukshëm sa i përket valëve të mëdha të emigrimit. Më parë emigronin ata që nuk kishin shpresë në Shqipëri. Fatkeqësisht kohet e fundit po largohen dhe ata që kanë mundësi. Shtresa e mesme e cila është më e sulmuara nga politika, është ndërgjegjësuar që meriton disa shërbime të standardit të caktuar, dhe e para është shëndetësi. Pasi këtu nuk trajtohesh ashtu siç trajtohesh jashtë. Ana tjetër është arsimi, ka vite që investohet pak, bëhen eksperimente pa fund, dhe që ka një problematikë që lidhet me pjesën e sigurisë arsimore. Përveç arsimit dhe shëndetësisë ka edhe arsye të tjera, ideja e pandryshueshmërisë që ka arritur në nivele të frikshme, si diçka që është një perceptim i fortë te njerëzit që nuk po ndiejnë drejtësi. Nga ana tjetër është edhe siguria ushqimore, kemi skandale, nuk dimë me çfarë ushqehemi. Nga ana tjetër është ndotja, në Tiranë është 7 herë më shumë se norma e lejuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *