Kryebashkiaku dhe kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, përshëndeti çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Nga Asambleja Socialiste e Njësisë 14 në Kashar, ku dëgjoi platformat e kandidatëve për kryetar të PS dhe prezantoi Plarent Ndrecën si drejtuesin politik të PS për Njësinë 14 dhe Kasharin, Veliaj nënvizoi se kjo është një arritje e madhe për Shqipërinë, e cila falë lidershipit të kryeministrit dhe kryetarit të PS, Edi Rama, mori atë që meritonte.

 

“Historia e hapjes së negociatave me BE-në duhet të merrte fund dhe Kryeministri, me mundin e tij prej lideri, e çoi dinjitetin e Shqipëri si kurrë më parë. Ne jemi vërtet një vend modest, por historia e negociatave duhet të merrte fund, edhe falë lidershipit të Edit dhe presionit pozitiv, për të treguar se ne ndoshta nuk jemi vendi më i pasur, por kemi dinjitet; ne ndoshta nuk jemi popull i madh në numër, por kemi personalitet; ndoshta nuk jemi më të mirët në botë, por detyrat e shtëpisë i kemi bërë më mirë se askush tjetër”, tha Veliaj.

 

Ai nënvizoi se, ndryshe nga koha e Berishës, tashmë Shqipëria trajtohet me dinjitet nga ndërkombëtarët. Veliaj shtoi se gjatë qeverisjes socialiste, vendi ynë ka drejtuar OSBE-në dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, di-së, diçka që s’ka ndodhur kurrë më parë.

 

“Ne kemi pasur histori kur shumica e botës e shmangte Saliun, se u vinte ndot. Sot jemi në situatën kur Shqipëria, është vërtet një vend i vogël, por drejtoi OSBE-në, kishte presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB, është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Sot nuk ka personalitet në botë që, kur bëhet fjalë për Edi Ramën dhe Shqipërinë, të mos tregojë respekt dhe na trajton me dinjitet, çka nuk ka ekzistuar më përpara. Kjo është e vërteta!”, deklaroi kryebashkiaku.

 

Duke sjellë në vëmendje protestat e opozitës, e cila bllokoi për mëse tre vjet projektin e ndërtimit të Unazës së Madhe, Veliaj theksoi se ata që digjnin gomat ishin vetëm një minorancë e zhurmshme.

 

“Ai investim na u bllokua për tre vjet dhe njerëzit mendonin se bllokuesit ishin shumica. Por, shumica është e heshtur dhe flet në ditën e votimit. Në ditën e votimeve “Astiri” foli dhe fitoren ia dha Partisë Socialiste, ku njerëzit punojnë. E gjithë Shqipëria mendonte se tek “Astiri” jetojnë vetëm njerëz që djegin goma, por nuk është kështu! Ata ishin një përqindje shumë e vogël. Ja ku jemi sot! Të jesh demokrat do të thotë ta respektosh tjetrin. Pavarësisht nëse ishin të legalizuar apo të palegalizuar, ata u paguan. Kush e kishte ndërtimin buzë autostradës, me koeficientin që ka marrë dhe pallatet që janë ngritur aty, sot jo vetëm që nuk i ka rënë belaja, por sot i ka rënë llotaria”, shtoi Veliaj.

 

Kryebashkiaku i Tiranës siguroi se investimet në Kashar do të vijojnë edhe në nivel kapilar, teksa theksoi se vlera e pronës u është dyfishuar edhe vetë demokratëve.

 

“Pasi të mbarojë Unaza e Madhe, duhet të vazhdojmë në një nivel kapilar në brendësi të çdo lagjeje. Sot edhe Saliut i është dyfishuar vlera e pronës. Edhe Ilir Metës i është dyfishuar vlera e pronës. Edhe Lulit, të gjitha vilave që u është dyfishuar vlera e pronës. Kemi vënë dorë pa diskriminuar askënd, në të njëjtat rrugë kalojnë të gjithë”, nënvizoi Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.