Nga Enkelejda Mema

Deklarimi jo i plotë i parave të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike si ato parlamentare dhe jo mbetet një problem shqetësues dhe ende i pazgjidhshëm.

Këtë e vërteton edhe auditi i fundit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri të ardhurave dhe shpenzimeve te partive për vitin 2022.

Nga të dhënat rezulton se nga 48 subjekte politike që dorëzuan raportin financiar disa prej tyre rezultojnë me probleme. Përjashtim vazhdon të bëjë vetëm Partia e Lirisë.

Në mesin e forcave politike me probleme janë edhe dy partitë e mëdha, ajo socialiste dhe demokratike. Partia në pushtet në të dhënat e saj financiare nuk e ka ndarë dhe qartësuar se sa para shpenzoi për zgjedhjet e pjesshme vendore të 2022-it nga ato për aktivitetin e zakonshëm vjetor. Po aq mbeten enigmë pagesat për punonjësit e jashtëm të

Partisë Socialiste pasi nuk janë kryer përmes sistemit bankar. Edhe për demokratët e udhëhequr nga Lulzim Basha parregullsia është e njëjtë, nuk përcaktohet shuma e parave të shpenzuar për fushatë zgjedhore nga ato për partinë. Asnjë e dhënë edhe për shpenzimet e kryera nga gjashtë kandidatët për kryebashkiakë.

Në mesin e partive parlamentare me probleme financiare është edhe ajo social-demokrate e Tom Doshit. Punonjës të paguar në të zezë dhe blerje pa faturë tatitmore elektronike.

Për shumë subjekte të tjera politike KQZ e pati të pamundur të marrë të dhëna. Nga 83 të tilla që rezultojnë të regjistruara në gjykata, shumicës nuk i gjendet adresa dhe pakica e kanë injoruar kërkesën e KQZ për të deklaruar financimet dhe shpenzimet e tyre.

Në mbyllje të auditimit për 108 subjekte politike, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendosi gjoba. Përveç partisë së Ilir Metës, për socialistët e Edi Ramës dhe demokratët e Lulzim Bashës gjoba është e njëjtë, nga 600 mijë deri në 1 milionë lekë.

Sigurisht partitë zotërojnë të drejtën e ankimimit, por kjo nuk e zgjidh një nga shqetësimet e kahershme fshehjen e financimit dhe të shpenzimeve të partive politike veçmas atyre që përbëjnë mazhorancën dhe opozitën në parlament./Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *