Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nderuar me “Çelësin e Qytetit” ambasadorin italian Fabrizio Bucci, në mbyllje të misionit të tij 5-vjeçar në Shqipëri.
Veliaj e falenderoi ambasadorin për angazhimin e tij gjatë qëndrimit në vendin tonë, duke e vlerësuar si një diplomat të shkëlqyer dhe i uroi suksese në misionin e tij të ri në Gjermani.
“Sot i themi mirupafshim një shoku dhe një vëllai, ambasadorit italian në Shqipëri. Të jam shumë mirënjohës dhe të falenderoj shumë për integritetin, për dinjitetin, për energjinë pozitive dhe për faktn se përtej burokracisë, ke qenë një mik i vërtetë i Tiranës. Ju konsideroj vërtet një misionar, i cili ka kontribuar pafund që Shqipëria dhe Italia të jenë më afër se kurrë”, tha Veliaj.
Nga ana e tij tij, ambasadori Bucci vlerësoi lidhjen e veçantë që ka karakterizuar historikisht dy vendet.
“Mes dy vendeve tona ka pasur gjithmonë një lidhje shumë të veçantë, por duhet të them se ky pesëvjeçar ka shënjuar një rritje të mëtejshme të këtyre marrëdhënieve. Italia e Shqipëria, në shumë aspekte, tashmë janë një vend i vetëm, nisur nga fakti që në maj, “Giro d’Italia” i cili është eventi sportiv më i ndjekur në botë, fillon në Shqipëri, duke treguar edhe një herë se dy vendet tona janë të bashkuar dhe se janë një vend i vetëm”, tha ambasadori Bucci.
Ambasadori u shpreh gjithashtu mirënjohës për mikpritjen dhe miqësinë e veçantë duke e konsideruar Shqipërinë si shtëpinë e tij./vizionplus.tv