7 persona janë vënë në prangat e policisë së Shkodrës ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim për shkak se akuzohen për mashtrim në “Call Center”

 

Policia njofton po ashtu se janë proceduar 25 persona të punësuar si operatorë në këto 2 subjekte.

 

Si rezultat i operacionit policor të koduar “North Forex 2” u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. D., administrator i subjektit call center, dhe S. Ç., I. T., A. S. dhe M. Sh., drejtues grupi në këtë subjekt.

 

Si rezultat i operacionit policor të koduar “North Forex 3” u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. Z. dhe E. H., drejtues grupi në subjektin tjetër call center.

 

Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. E., administratore e këtij subjekti, E. D., A. Rr. dhe A. Rr., të dyshuar si organizatorë të veprimtarisë kriminale të këtij subjekti, që ushtrohej në një filial, në Tiranë.

 

Në vijim të veprimeve procedurale janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 25 shtetas të tjerë, të cilët ishin punësuar si operatorë në këto 2 subjekte call center.

 

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se administratorët e këtyre 2 subjekteve kanë rekrutuar punonjës, për të ushtruar aktivitetin kriminal të mashtrimit kompjuterik, në filialet paralele të këtyre 2 subjekteve, në Shkodër, Tiranë dhe Bullgari.

 

Ky aktivitet kriminal konsiston në mashtrimet kompjuterike nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme kompjuterike, si 1FTD (first time depozite), Vicidal, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian. Operatorët e këtyre subjekteve telefonin shtetas të ndryshëm, kryesisht të huaj, më qëllim që t’i bindnin për të investuar shuma të ndryshme parash në platformat e lartpërmendura.

 

 

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *