Shqipëria ka nisur mbrëmjen e sotme garat në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, aktivitet që po mbahet në Bullgari, një event me rëndësi të dyfishtë, pasi është gjithashtu kualifikues për në Lojërat Olimpike.

I pari që ka përfaqësuar flamurin kuqezi në këtë kompeticion ishte Briken Calja, shtangisti me pritshmëritë më të larta në Kombëtare. 33-vjeçari, ish-kampion Europe dhe Bote, nuk arriti që të futej në zonën e medaljeve, duke e përfunduar dygarëshin në vend të pestë, një rezultat që mbetet i lartë për peshëngritjen shqiptare, por jo për ambiciet e një sportisti të kalibrit të Caljes.

Briken Calja, i cili në një kohë të shkurtër arriti të humbiste disa kilogramë, duke zbritur në kategorinë olimpike 73 kg, nuk e filloi në mënyrën më të mirë stilin e shkëputjes.

Kampioni kuqezi dështoi në provën e parë me 148 kg, megjithatë u korrigjua në provën e dytë, duke e kaluar me sukses të njëjtën peshë.

Më tej shtangisti shtërmenas shtoi plot 5 kg, duke provuar me 153 kg, por pa mundur që ta realizonte me sukses provën. Kështu me 148 kg, Calja e mbylli stilin e shkëputjes në vendin e shtatë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *